Dy tonë drogë e Lazaratit kapen në Rimini

Kapen në Rimini të Italisë 2 tonë marijuanë dhe vihen në pranga 3 shqiptarë dhe një rumun. Bllokimi i kësaj sasie të madhe lënde narkotike ka ardhur në kuadër të hetimeve të operacionit të koduar “100%”.

Autoritetet italiane thonë se droga vinte nga Shqipëria dhe është transportuar përmes një skafi 10 metër të gjatë. Kjo vërtetohet nga imazhet ajrore, të cilat tregojnë se skafi kishte mbërritur në Itali nga Shqipëria.

Grupi kriminal ishte nën hetim për trafikimin e rreth 100 kg kokainë dhe heroinë të sekuestruar gjatë shtatorit të vitit 2013. Përgjimet telefonike kanë zbardhur faktin se grupi i strukturuar kriminal ishte duke pritur një sasi të madhe lënde narkotike dhe që kjo sasi pritej të vinte nga brigjet e Adriatikut. Komandanti i Guardia di Finanza për Riminin, Mario Venceslai, ka deklaruar se ka një ndryshim në skenarët e organizimit të trafikimit të lëndëve narkotike nga Shqipëria në drejtim të Italisë.

“Tashmë kemi të bëjmë me një skenar të ri: Rimini nuk është më vend tranzit i sasive të vogla të drogës, por udhëkryq i vërtetë të drogës. Pjesë e kësaj organizate janë të rinj që jetojnë prej kohësh në Rimini, e njohin mirë territorin dhe kanë krijuar një model të ri të trafikimit e shpërndarjes së drogës, transmeton shekulli. 

Ata e trafikojnë, e përpunojnë dhe më pas e shpërndajnë. Kjo sasi kaq e madhe, e pabesueshme nuk mund të jetë destinuar për t`u trafikuar vetëm në Rimini, por në një pjesë të madhe të territorit italian”, ka sqaruar ai për mediat vendase. Pak kohë më parë shteti fqinj dha alarmin për sasitë e mëdha të drogës që po trafikohen nga vendi ynë. Megjithatë ‘lumi’ i drogës duket se nuk do te ndalet ndërsa interesant është fakti që mjeti që e ka transportuar është një skaf që u pretendua se pak ditë më parë u godit një bazë në Vlorë. 

Lajme të ngjashme

Back to top button