Lagjja e Dizhonit oazë tmerri në Shkup (Foto)

Lagjja e Dizhonit në Shkup, kryesisht e banuar me shqiptarë, e cila ndodhet në komunën e Çairit është në një gjendje të mjerueshme. Banorët e saj ankohen për infrastrukturë dhe kërkojnë më shumë investime.

Gjatë një vizite të kësaj lagje ne pamë mjaft rrugë të ngushta të prishura, shtëpi të ngjitura me njëra tjetrën, ku hyrjet e tyre ishin mu në rrugë.

Banori Bajram Saliu i kësaj lagjeje, në moshën 67 vjeçare bredhte rrugëve dhe shikonte fëmijët sesi lozin. Ai na informoi për kushtet e shumicës së banorëve të Dizhonit.
“Siç po e shihni edhe ju vetë, shumica e banorëve që jetojnë këtu janë të varfër, kjo vërehet nga shtëpitë tona që janë pothuajse të rrënuara. Por çfarë të bëjmë, na kanë premtuar shumë herë që do të rregullohet kjo lagje do rregullohen rrugët, por ja që ende nuk është bërë asgjë, ata që kanë të holla kanë rregulluar shtëpitë e tyre, por ne të tjerët jemi në gjendje të mjerueshme”, tha Saliu.

Një i ri 17 vjeçar Emir Ibrahimi, po ashtu banor i kësaj lagje, thotë se veturat kalojnë shpesh ne këto rrogat e ngushta ku edhe rrezikojnë jetën e fëmijëve që lozin para shtëpive të tyre.
“Në mungesë të parqeve dhe të shtëpive me oborr në lagjen tonë, fëmijët luajnë rrugëve dhe shpesh herë janë në rrezik nga veturat e shpeshta që kalojnë nëpër rrugët e ngushta. Disa herë është premtuar se në këtë lagje do të investohet, se po priten investitor të huaj, por ja që deri më tani asgjë nuk ka ndryshuar. Ne jemi në pritje dhe shpresojmë që do të bëhet diçka”, tha Ibrahimi.

Kjo nuk është lagjja e vetme në këtë komunë e cila është e mbingarkuar me popullatë, dhe me një infrastrukturë të papranueshme. 

Lajme të ngjashme

Back to top button