Kalliri i Mirësisë ndanë 588 palë veshmbathje për nxënësit e Gostivarit

Organizata Humanitare “Kalliri i Mirësisë”, e realizoi aksionin humanitar për shpërndarjen e veshmbathjeve edhe për nxënësit nevojtar në të gjitha shkollat fillore të komunës së Gostivarit. 

Aksioni nisi nga shkolla fillore “Bashkimi”, ku morën pjesë edhe kryetari i komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta, kryetari i O.H “Kalliri i Mirësisë”, Rufat Sherifi, dhe të gjithë drejtorët e shkollave fillore të Gostivarit. 

“Unë si kryetar i komunës së Gostivarit së bashku me të gjithë qytetarët e Gostivarit jemi mirënjohës që kryetari i shoqatës humanitare bamirëse “Kalliri i Mirësisë” ka vënë komunën e Gostivarit në mesin e komunave të tjera ku janë ndajtur ndihma humanitare për fëmijët me veshje”, tha kryetari Bejta. 

Kryetari i Organizatës Humanitare “Kalliri i Mirësisë”, Rufat Sherifi tha se bëhet fjalë për një projekt që përfshin 8 mijë fëmijë brenda vendit tonë. 


“Ky është pjesë e një projekti ndërkombëtar ku janë paraparë të përfshihen 1 milion fëmijë nevojtar, të cilëve shoqata “Kalliri i Mirësisë” u ndan dhurata dhe i motivon për një jetë më të mirë në të ardhmen. Biseduam me kryetarin për mundësitë e bashkëpunimit edhe për projekte të tjera të cilat janë edhe më vitale dhe më të rëndësishme për popullatën tonë kur bëhet fjalë për edukimin dhe arsimin por edhe krijimin e mundësimit për punësime të reja në të ardhmen. Shpresojmë që me këto nuk do të kemi një shoqëri me varfëri, pasiguri anomali”, theksoi Sherifi.

Ky projekt është pjesë e fushatës ndërkombëtarë, të cilën e ndërmori Kryeministri dhe Zëvendës presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, mbreti i Dubait Muhamed Bin Rashid Al Maktum, fushatë kjo e cila synon të bëjë ndarjen e veshmbathjes për 1 milion fëmijët e varfër në gjithë botën.

Lajme të ngjashme

Back to top button