Veseli ua bën për hair partinë e re Limajt e Krasniqit

Zëvendëskryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ia ka bërë për hair partinë e re ish-bashkëpartiakëve të tij, Fatmir Limajt dhe Jakup Krasniqit.

Largimin e tyre nga PDK-ja Veseli e cilëson si debat të konsumuar për opinionin, por pranon se nuk janë edhe entuziastë për këtë situatë të krijuar.

Veseli në emisionin “Rubikon” të KTV-së ka mohuar se angazhimi i tij në Partinë e Thaçit ka ndikuar në zhvillimet e fundit në PDK. Ai vazhdon t’i konsiderojë miq Limajn dhe Krasniqin, derisa shpreh qëndrimin e partisë, pjesë e së cilës është, se nuk do të kërkojnë shkarkimin e Krasniqit nga kreu i Kuvendit.

Ish-udhëheqësi i Shërbimit Sekret të Kosovës, Veseli, ka bërë thirrje për një marrëveshje ndërpartiake mes pozitës dhe opozitës lidhur me reformën zgjedhore.

Inicimin e votëbesimit të AAK-së për rrëzimin e Qeverisë dhe kërkesën e partive opozitare për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, Veseli e ka quajtur veprim të ngutshëm.

Veseli, duke folur për zgjedhjet e fundit lokale, ka pranuar se PDK-ja bëri shumë gabime. Sa i përket lidhjes së ndonjë koalicioni me partitë e tjera, Veseli ka thënë se si partia e parë në vend nuk ka logjikë përjashtuese për asnjë parti.

Veseli u ka bërë thirrje partive politike të mos e politizojnë fenë për përfitime partiake, duke shtuar se disa radikalë fetarë po mundohen të bëjnë çmos për ta kthyer vendin tonë në vend të radikalizmit islamik./koha.net/

Lajme të ngjashme

Back to top button