KLD refuzon Ina Ramën si gjyqtare

Një vit pasi uroi pasardhësin e saj Adriatik Llalla, ish-prokurores së përgjithshme Ina Rama nuk po i ecën fort mbarë në fushën e jursiprudencës që nga koha kur përfundoi mandatin pesëvjeçar në krye të akuzës.

Zonja Rama, me një karrierë shtatëvjeçare në radhët e gjyqësorit dhe pesë vjet të tjerë si prokurore e përgjithshme, u refuzua nga KLD që t’i rikthehej detyrës si gjyqtare në Apelin e Tiranës, pas një mbledhjeje maratonë që zgjati mbi dy orë.

Pro kthimit të saj, por që formuan pakicën, ishin pesë anëtarë të KLD-së, e konkretisht ministri Nasip Naço, Sokol Çomo, Dritan Hallunaj, Dritan Caka dhe Xhezair Zaganjori.

Përveç votave pro edhe kundër, presidenti i vendit në rolin e kreut të KLD-së mësohet të mos ketë votuar duke ruajtur kështu asnjëansinë në këtë çështje që pritet të hapë debat.

Votat e nëntë anëtarëve të tjerë në shumicë e që vendosën fatin e kërkesës se ish-prokurores së përgjithshme, votuan kundër me argumentin se zonja Rama në kohën kur pranoi kërkesën e kryeprokurores duhet të bënte kërkesë pranë KLD-së që të ruante statusin e gjyqtares. Argumenti tjetër jozyrtar i tetë anëtarëve ishte se për të shkuar në Apelin e Tiranës zonja Rama duhet t’i nënshtrohet konkurrimit.

Duke i paraprirë ligjit “për organizimin e funksionimin e Prokurorisë së Përgjithshme”, në të cilin thuhet se prokurori i përgjithshëm pas përfundimit të mandatit pesëvjeçar me pëlqimin e tij ka të drejtë të emërohet në detyrën e prokurorit në këtë prokurori, ose në një post të barazvlefshëm me vendin e mëparshëm, KLD argumenton në votimin kundër se gjykata ku ka qenë Ina Rama ishte Apeli i Krimeve të Rënda dhe jo Apeli i Tiranës.

KLD mendon se për t’u emëruar në këtë të fundit, ish-prokurorja e përgjithshme duhet t’i nënshtrohet konkurrimit. Por përse zonja Rama në kërkesën e saj të 14 janarit 2013 kërkoi që të emërohet gjyqtare në Gjykatën e Apelit dhe jo gjyqtare në Apelin për Krimet e Rënda?

Kjo pasi për shkak se përgjatë deyrës si prokurorë e përgjithshme Ina Rama ka firmosur çdo veprim hetimor ndaj dhjetëra të pandehurve që më pas kanë përfunduar ose do të shkojnë në gjykatë.

Që do të thotë se, në rast se ish-kryeprokurorja kthehet në postin e gjyqtares penaliste, ajo për një periudhë prej gati tre vjet, aq sa është edhe mesatarja e një procesi gjyqësor në Shqipëri, nuk mundet të gjykojë asnjë dosje të tillë për shkak të përfshirjes në hetime.

Një tjetër zonjë që sipas ligjit duhet të kthehej në fakt në Gjykatën e Apelit është edhe ish-kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Becaj, çështja e të cilës nuk ëhtë diskutuar deri më tani asnjëherë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë.

Lajme të ngjashme

Back to top button