Ja si u zhvillua aksioni i madh policor në Tetovë e Gostivar (VIDEO)

Ministria e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me Drejtorinë e të Hyrave Publike nga mbrëmë e deri sot në mëngjes ka realizuar një nga aksionet më të mëdha policore në vend, duke bastisur objekte hotelerie dhe bastore sportive në Tetovë dhe Gostivar.

Ky aksion është realizuar me emrin e koduar “Kthetra” ku kanë marrë pjesë rreth 200 pjesëtarë të njësive të ndryshme të MPB-së. Qëllimi i aksionit ka qenë zbulimi i shtetaseve të huaja me qëndrim të parregulluar në Maqedoni të cilët kanë punuar Ilegalisht si këngëtare, valltare, kamariere. Ato madje dyshohet se mund të jenë edhe viktima të tregtisë me njerëz. Sipas policisë, qëllimi i realizimit të kontrollit në bastoret sportive ka qenë zbulimi i atyre që kryejnë këtë veprimtari pa liçencë si dhe kanë shkelur ligjin për lojërat e fatit. 

Objektet hotelerike të cilët ishin cak i kontrolleve në rajonin e Tetovës, kanë qenë: ‘Energy Club’, ish objekti hotelerik “Hilton” në Zhelinë, ‘Llovec’, ‘Korabi’, ‘Oriental As’, dhe ‘Baci’. 
‘Raven Kastrioti’, ‘Bakardi’, ‘Bili’, ‘Bili 97’, ‘Alpa Mare’ dhe ‘Nota’ në rajonin e Gostivarit.
 “Gjatë kontrollit në objektet hotelerike janë zbuluar 64 shtetase të huaja, prej të cilave 61 të gjinisë femërore dhe 3 meshkuj. Prej tyre, 58 femra dhe 3 meshkuj janë arrestuar dhe janë dërguar në Stacionet Policore në Tetovë dhe Gostivar dhe më pas të njëjtëve do t’ju shqiptohet dënimi prej 1 deri në 3 vjet ndalesë hyrje në Maqedoni. 

Krahas kësaj, janë legjitimuar edhe 391 shtetas të Maqedonisë, të cilët kanë qenë mysafirë në këto lokale. 

Ndërkaq, nga ana e Drejtorisë për të Hyra Publike ku është kryer kontroll janë konstatuar shkelje të ligjit për regjistrim të pagesës në kesh-mosdhënie të fletëpagesës fiskale dhe mos-vendosje të arkës fiskale, me çrast janë shqiptuar dënime prej 750 euro për personat fizik dhe 2500 euro për subjektet juridike. Janë konstatuar edhe shkelje të ligjit për pirje të duhanit dhe ligjit për procedurë tatimore, ndërsa disa objekteve u është shqiptuar masa e mbylljes së lokalit prej 30 ditëve.

Në pjesën e bastoreve janë kryer kontrolle në ‘Zero Bet’,’ Pica Long’, ‘Bet2dej’, ‘Kafe Klub 10’, ‘Bet 365’, ‘Euro Lloto’, ‘Bundes’, ‘Euro Shansa’, ‘Tam Beting’ dhe disa objekte nuk kanë pasur mbishkrime. Nga kontrollet e kryera në bastoret sportive në Tetovë dhe Gostivar është konstatuar se punojnë në mënyrë të paligjshme, nuk kanë pasur liçenca për punë, ngase në 13 objekte vetëm bastorja Euro Gol ka pasur liçencë për punë. 
Janë marrë 263 mijë denarë dhe 440 euro, 55 televizore, 29 kompjutora, dhe 20 monitora, 16 printer, 7 resiverë, tre lexues të talloneve, tre aparate fiskale dhe pajisje tjera, njoftoi sot Ministria e Punëve të Brendshme në Tetovë.

Lajme të ngjashme

Back to top button