Donika Kamberi, kryetare e re e Parlamentit Studentor në UT

Donika Kamberi është zgjedhur kryetarja e re e Parlamentit Studentor të Universitetit të Tetovës. Të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar gjithsej 4789 studentë, prej tyre Donika mori 3230 vota, kandidati tjetër Argëtim Arifi fitoi 1538 vota. 21 vota u shpallën si të pavlefshme.

Kryetarja e sapozgjedhur e Parlamentit Studentor të UT-së, Donika Kamberi, i ka falënderuar të gjithë studentët për mbështetjen dhe besimin që i kanë dhënë. Ajo është studente e Fakultetit Juridik në Universitetin e Tetovës.

“Ne sot, të gjithë së bashku kemi dhënë një mesazh për të gjithë, se si respektohen parimet dhe vlerat e demokracisë. Sot të gjithë studentët kanë fituar, askush nuk është humbës. Sigurisht që ne zhvilluam një garë dhe brenda garës ka një fitues dhe një humbës, por e rëndësishme është se të gjithë mes vete jemi miq dhe jemi studentë të këtij universiteti. Së bashku do t’ia dalim që t’i realizojmë qëllimet dhe objektivat tona. Dua të falënderoj edhe kundër kandidatin tim, Argëtim Arifin, për punën dhe kontributin e tij që ka dhënë për studentët e Fakultetit të Administrimit të Biznesit, dhe ne në të ardhmen do të punojmë bashkërisht për të mirën e të gjithëve, për të mirën e studentëve, dhe me këtë do ta nderojmë veten tonë, por edhe vet Universitetin e Tetovës”, u shpreh Kryetarja e sapozgjedhur e Parlamentit Studentor të UT-së, Donika Kamberi.

Kryetari në largim i Parlamentit Studentor të Universitetit të Tetovës, Ardian Bilalli, ka uruar të dy kandidatët për garën që kanë zhvilluar në këto zgjedhje, ndërsa kryesinë e re, në krye me Donika Kamberin, që morën legjitimitetin e studentëve, i përgëzoi duke shpresuar se gjatë mandatit të tyre do t’i realizojnë të gjitha projektet të cilat i kanë premtuar para studentëve.

“Ishim dëshmitarë se zgjedhjet u zhvilluan në mënyrë shumë korrekte dhe tepër demokratike. Kjo ishte vetëm një garë mes nesh. Ne do të vazhdojmë të japim kontributin tonë në të mirë të studentëve. Mbështetja jonë nuk do të mungojë për kryesinë e re dhe bashkërisht do të arrijmë t’i ndihmojmë të gjithë studentët në realizimin e aspiratave të tyre”, theksoi Argëtim Arifi.

Donika Kamberi në dy vitet e ardhshme do të udhëheq me Parlamentin Studentor të Universitetit të Tetovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button