Komuna e Gostivarit: Deri të premten të dorëzohen elaboratet gjeodezike për legalizimin e objekteve

Shefi i Sektorit për urbanizëm, komunikacion, veprimtari komunale dhe mbrojtje të mjedisit jetësor në Komunën e Gostivarit, Jeton Salija përmes një konference për shtyp ka thirrur qytetarët që aplikuan për legalizim të objekteve të ndërtuara paleje që deri ditën e premte kur dhe përmbyllet afati i lejuar ligjor, të dorëzojnë elaborate gjeodezike, njofton Portalb.mk

“Sipas Ligjit për legalizimin e objekteve të ndërtuara paleje në Republikën e Maqedonisë, të gjithë qytetarët që aplikuan në afatin e parë në vitin 2011, janë të obliguar që dokumentacionin ta kompletojnë me elaborate gjeodezik më së voni deri në dhjetorin e vitit 2016. Si rezultat i ndryshimeve ligjore të ligjit për legalizimin e objekteve të ndërtuara paleje, u mundësua prolongimi i afatit për dorëzimin e elaborateve gjeodezike deri më 31 Dhjetor të vitit 2016”, potencoi Salja.

“Për shkak se afrohet afati kohor dhe me qëllim që të gjithë qytetarët që bënë kërkesë për legalizim të objekteve paleje në afatin e vitit 2011, të arrijnë të përfundojnë procedurën dhe të pajisjen me aktvendim për legalizim të objekteve të tyre, Komuna e Gostivarit apelon që të respektohet afati ligjor dhe në kohë të kryejnë obligimet e tyre në afatin e paraparë ligjorë”sqaroi.

“Një thirrje e veçantë u bëhet mërgimtarëve të cilët kanë aplikuar për legalizim të objekteve, të shfrytëzojnë praninë e tyre në vendlindje për të përmbyllur këtë proces në afatin e paraparë ligjor. Në të kundërtën, sipas Ligjit për legalizimin e objekteve të ndërtuara paleje, procedura do të ndërpritet dhe qytetarët do të humbin të drejtën për legalizimin e objekteve të tyre. Kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta ka urdhëruar administratën, dhe veçanërisht kryetarët dhe anëtarët e Komisioneve që merren me shqyrtimin e lëndëve për rregullimin e statusit juridik të objekteve të ndërtuara pa leje, që në periudhën e ngelur të shtojnë angazhimet e tyre me qëllim që çdo qytetari t’i dilet në ndihmë për të arritur në kohë dhe me sukses të përmbyllin lëndët e tyre për legalizim”, shtoi Salija, i cili bëri me dije që në dy afatet e parapara ligjore në Komunën e Gostivarit aplikuan për të legalizuar objektet e tyre gjithsej 12.734 persona fizik dhe juridik.

Nga ata, deri tani aktvendime të plotfuqishme kanë pranuar 4.065 aplikues, kurse pëlqime urbanistike kanë marrë gati 300 kërkues.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button