Maqedoni, koalicionet pas-zgjedhore: Qetësi para stuhisë

Pas rivotimit të djeshëm në Tearcë, rezultatet janë të qarta: VMRO DPMNE-ja është fituesja e zgjedhjeve të 11 dhjetorit, duke siguruar kështu 51 mandate në përbërjen e ardhshme parlamentare.

Në opinion po qarkullojnë pyetjet: Cila prej partive politike shqiptare do të pranojë të bëjë koalicion me VMRO DPMNE-në, në mënyrë që kjo e fundit të formojë qeverinë e re?
Me çfarë çmimi partitë shqiptare do të pranonin të bënin koalicion me VMRO DPMNe-në, respektivisht çfarë kushtesh do t’i vendosin partitë shqiptare VMRO DPMNE-së?
A do të publikohen afatet e marrëveshjeve eventuale mes partnerëve të koalicionit të ardhshëm qeveritar?
Çka nëse shkelen afatet e marrëveshjeve në fjalë?

Portalb kërkoi përgjigje nga përfaqësuesit e partive politike shqiptare. Në vijim mund të lexoni se çfarë përgjigjesh morëm:

Qëndrimi i BDI-së

Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani ishte i pakapshëm për Portalb.

Ndërsa nënkryetarja e BDI-së, Teuta Arifi pas takimit të liderëve tha se partia e saj nuk e përjashton mundësinë që të bëjë koalicion me LSDM-në, por vendimi përfundimtar sipasj saj, do të sillet në ditët në vazhdim nga partia.

“Ne po flasim për një situatë të pazakonshme, numra të ngjashëm në politik dhe nga ky aspekt është normale që BDI-ja nuk do të shkojë me kokë në mur, por do t’a analizojë situatën dhe do t’a pranojë realitetin dhe do të bëjë më të mirën për të mbrojtur votuesit e saj”, tha Arifi.

Qëndrimi i koalicionit Rilindje me Besë

“Ne si Lëvizje BESA, gjegjësisht koalicioni Rilindje me BESË, e kemi thënë disa herë që nuk kemi mundësi të fillojmë bisedime me parti krerët e të cilëve dyshohen nga PSP për përfshirje në krim, korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës. Me këtë lidership të VMRO-së nuk ka asnjë shans që të koalicion për formimin e qeverisë.” deklaroi për Portalb, Orhan Murtezani.

“Kryesia Qendrore e Lëvizjes BESA ka paraqitur tre parakushte për bisedime për formimin e qeverisë së ardhshme, njëra ndër ato kushte është që marrëveshja të jetë transparente për opinionin dhe të jetë e afatizuar. Nëse vjen deri te shkelja e afateve natyrisht që do të pasojnë sanksione” shtoi Murtezani.

Qëndrimi i koalicionit Aleanca për Shqiptarët

“Nuk dua të komentoj asgjë, sepse nuk i kam numrat. Kushtet e mia janë të mirënjohura tashmë dhe nuk do t’i përsëris 100 herë.” tha Ziadin Sela për Portalb.mk.

Të shtunën me anë të një postimi në rrjetin social, facebook Sela njoftoi se për Maqedoninë ka zgjedhur qeverinë e zgjeruar, në të cilën do të marrin pjesë të gjitha partitë politike shqiptare. Ai poashtu shkroi edhe kushtet e koalicionimit.

“50+10+5+3+2= 70= kushtezim numrit 50 per formim qeverie= gjuhe shqipe te barabarte me gjuhen maqedone, buxhet i drejte, decentralizim  te mirfillte, zgjidhje e proceseve te montuara politike…” shkroi Sela.

Qëndrimi i PDSH-së

Portalb pret qëndrimin partiak nga sekretari i përgjithshëm i PDSH-së, Azem Sadiku.

Ky i fundit qëndrimin e tij personal e bëri të ditur për tv21, duke thënë se do të pranonte një koalicion me BDI-në dhe VMRO DPMNE-në. Por se atëherë nuk “pyetej” nga lideri, Menduh Thaçi i cili veçmë ka dorëzuar dorëheqjen në organet partiake.

Nëse më pyet mua, po s’kam çfarë t’i bëj kryetarit se është shumë i vendosur në atë qëndrim, që nesër bashkë me BDI-në do të kishim hyrë në negociata për ta formuar qeveri.” tha Sadiku.

Ndryshe, sipas normave kushtetuese lideri i kësaj partie, Nikolla Gruevski më 11 janar do të marrë mandatarin për formimin e qeverisë së re dhe më 31 janar duhet t’ia propozojë Kuvendit përbërjen e re të Qeverisë./Portalb.mk

LEXO: Kuvendi i Maqedonisë do të mblidhet të premten?

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button