Infeksionet e veshit, kujdesi që duhet të kenë prindërit

Të rralla janë bebet që nuk e kanë provuar të paktën një herë dhimbjen e veshit, por akoma më tragjike kjo situatë është për nënat dhe baballarët: bebi qan pa pushim, duke mos ditur ende të artikulojë mirë, tërheq fort llapën e veshit, ka temperaturë dhe është i shqetësuar dhe i grindur për 3- 4 ditët e fundit. Kjo është klinika e një otiti media akut apo një infeksioni akut të veshit të mesit te fëmijët, shkruan shendeti.com.al.

Kësaj tabloje klinike i ka paraprirë një infeksion viral i traktit të sipërm respirator me bllokim hundësh, sekrecione fillimisht të ujshme dhe pastaj të trasha dhe me ngjyrë të verdhë, ose edhe jeshile, temperaturë subfebrile deri në 38.5 gradë celcius, për 3-4 ditë.

infeksion-veshiNëse ky proces do të vazhdojë, zgjidhja përfundimtare e tij do të jetë tabloja klinike e sipërpërmendur: dhimbje të forta veshi, temperaturë e lartë dhe rrjedhja e sekrecioneve në kanalin e jashtëm të dëgjimit, që fillimisht mund të jenë pak hemorragjike e pastaj me ngjyrë të verdhë e deri në purulentë.

Pas kësaj tabloje, shenjat klinike qetësohen, temperatura dhe dhimbja bien dhe vetëm sekrecionet nga veshi vazhdojnë. Në këtë zgjidhje normale të procesit inflamator, membrana timpanike apo daullja e veshit është çarë.

Veshi ndahet për lehtësi studimi në 3 pjesë:

  • Veshi i jashtëm (kanali i jashtëm i dëgjimit dhe aurikula apo llapa e veshit),
  • Veshi i mesit (kaviteti timpanik dhe 3 kockat e vogla të dëgjimit maleusi, inkusi, stapesi, që janë edhe kockat më të vogla të trupi tonë),
  • Veshi i brendshëm (labirinthi dhe kanalet semicirkulare përgjegjës për dëgjimin dhe ekuilibrin).

Një strukturë anatomike e rëndësishme që lidh hundën me zgavrën timpanikë pas daulles së veshit është Tubi i Eustachit, që barazon presionet ndërmjet veshit dhe atij atmosferik sa herë gëlltitemi, sepse normalisht është i mbyllur. Tek fëmijët ky kanal është më horizontal dhe më i gjerë, gjë që krijon mundësinë e kalimit të sekrecioneve nga pjesa e pasme e hundës në zonën pas daulles së veshit më lehtë se te të rriturit.

Gjatë procesit të rritjes, ky kanal bëhet më i hollë dhe më diagonal. Kjo është një nga arsyet kryesore pse fëmijët sëmuren më shumë nga infeksionet e veshit. Arsyeja tjetër është pamundësia apo mos mësimi prej prindërve i shfryrjes së hundëve dhe tërheqja mbrapsht e sekrecioneve për në vesh.

Mirëfunksionimi i të tre organeve ORL: vesh, hundë dhe fyt fillon nga një mirëfunksionim i hundës, pra, nga një frymëmarrje e mirë, e qetë ditën dhe natën dhe nga mungesa e sekrecioneve të shtuara që gjenerojnë në procese inflamatore apo infeksione.

Kjo është ajo që duhet t’u themi vazhdimisht prindërve, përveç faktit që duhet t’i mësojnë fëmijët e tyre të shfryjnë hundët.

Grumbullimi i sekrecioneve pas veshit dhe mbivendosja e infeksionit bakterial quhet pra otitis media akut ose infeksioni akut i veshit të mesit. Nuk duhet ngatërruar ky infeksion bakterial me sëmundjen e veshit të brendshëm apo Morbus Menier, që gabimisht në popullatë apo edhe nga mjekë njihet me një term të gabuar si “veshi i mesit”

70% e të sapolindurve dhe fëmijëve kanë të paktën një episod para moshës 2 vjeç, me një incidencë më të lartë në 3-18 muajt e parë. Kjo incidencë bie pas daljes së dhëmbëve të përhershëm.

Faktorët e mjedisit që ndikojnë janë:

  1. a) rritja e fëmijëve në çerdhe
  2. b) mosushqyerja me qumësht gjiri në të paktën 3-6 muajt e parë të jetës
  3. c) ushqyerja me biberon shtrirë në shpinë për një kohë të gjatë
  4. d) ekspozimi ndaj tymit të duhanit
  5. e) faktori stinor

Tek fëmijët më të rritur, që artikulojnë mirë, në shenjat e sëmundjes që ata mund t’i përshkruajnë, shtohen edhe rënia e dëgjimit dhe zhurma në vesh.

Për vendosjen e diagnozës na ndihmojnë shenjat klinike të sëmundjes, vëzhgimi i membranës timpanike, ku vërehet skuqje në kuadratet e sipërme dhe përgjatë dorezës së maleusit, që është njëra nga kockat që proeminon në membranë.

Kur fëmija paraqitet pas disa ditësh nga fillimi i dhimbjes, mund të shohim një skuqje të gjithë membranës dhe bombim të saj, pra, fryrje si rezultat i shtypjes së likidit inflamator nga pas saj.

Në të gjitha rastet me dhimbje veshi, fëmija duhet vizituar nga mjeku ORL, për të vendosur një diagnozë më të saktë, e cila do të përcaktojë fillimin apo jo të një terapie medikamentoze me antibiotikë, nëse do të jemi në fazën e shërimit spontan të infeksionit, që mund të zgjatë deri në 72 orët e para, dhe mund të kalojë me analgjezikë dhe antipiretike në një fëmijë mbi 2 vjeç, dhe në fazën e bombimit të membranës timpanike që, nëse nuk qetësohet me anë të terapisë, mund të ketë nevojë për një çarje të daulles së veshit nga mjeku ORL për të nxjerrë jashtë likidin inflamator.

Në rastet kur fëmijët na paraqiten me sekrecione në kanalin e jashtëm të dëgjimit, membrana timpanike është çarë vetë dhe kërkon antibiotikoterapi deri në 10 ditë, solucione me antibiotikë me pika në vesh dhe një sterilitet maksimal të kanalit të jashtëm të dëgjimit, duke mos futur asnjë pikë ujë në vesh dhe duke vendosur tapa gjatë dushit. Prindi nuk duhet të shqetësohet nëse kjo ndodh vetëm një herë, sepse duke i krijuar kushte sterile, membrana timpanike mbyllet vetë, por në fëmijët që bëjnë infeksione deri në moshën 5-6 vjeç dhe membrana timpanike çahet vazhdimisht, duhet pasur kujdes i veçantë sepse mund të çojë në një infeksion kronik të daulles së veshit, që zgjidhet vetëm në mënyre kirurgjikale duke rindërtuar një daulle të re.

Instruksioni për prindërit

Kujdes të madh duhet të kenë prindërit e fëmijëve që kanë probleme me rinitet alergjike, pra me bllokimin dhe sekrecionet nga hunda në kuadër të një pacienti alergjik apo ata me vështirësi të vazhdueshme në frymëmarrje apo gërhitje natën tek një pacient me mish të huaj në hundë te fëmijët, që mund të çojnë në probleme kronike të veshit, si grumbullime të lëngut pas daulles, që shoqërohet me ulje të vazhdueshme të dëgjimit.

Zakonisht këta fëmijë vijnë në mosha më të rritura mbi 6-7 vjeç në mënyrë të rastësishme nga prindi, sepse ankojnë për rënie dëgjimi.

Tek këta fëmijë bëjmë audiogramë, që tregon një ulje konduktive në transmetimin e tingullit dhe timpanogramën që tregon një ulje të presionit në veshin e mesit.

Zgjidhja është vendosja e tubave të ventilimit që lejon ajrosjen e veshit të mesit.

Këshillë për ilaçet

Është shumë e rëndësishme që në rastet e trajtimit me ilaçe me pika në vesh, përpara se të hidhet, ilaçi duhet të mbahet në dorë që të arrijë temperaturën e trupit. Nëse hidhet direkt pa u ngrohur më parë në dorë, ilaçi i ftohtë mund t’i krijojë pacientit dhimbje në vesh

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button