Sonte nis Festivali i 55-të i Këngës në RTSH
Surpriza pa fund, emocione dhe ethe konkurrence do të shoqërojnë tre netët e edicionit të 55-të Festivalit të Radio Televizionit Shqiptar i cili do të mbahet në datat 21, 22 dhe 23 dhjetor në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.
Organizatorët e festivalit kanë ftuar nga Kosova dy regjisorët e njohur Agron Vula dhe Astrit Idrizi.
Festivali i këngës në Radiotelevizionin Shqiptar nuk është vetëm arenë ku përballen vlerat e muzikës së lehtë shqiptare, por që prej vitit 2003 ai është i vetmi kompeticion që ka ekskluzivitetin e prezantimit të muzikës së lehtë shqiptare në Eurosong.
Në këtë edicion të 55-të, sopranoja shqiptare me famë ndërkombëtare Inva Mula do të jetë e ftuara e nderit.