Studentët e USHT-së e prezantuan studimin për gjyqësorin Maqedonisë

Studentët e studimeve pasdiplomike të magjistraturës në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit Shtetëror të Tetovës kanë realizuar projektin kërkimor – shkencor: “Parimi i profesionalizimit, drejtësisë dhe efikasitetit në gjyqësorin e Maqedonisë, në procedurën jo kontestimore”. 

Ky projekt ka përfshirë periudhën kohore 2010 – 2013 dhe është shtrirë në Gjykatën themelore të Strugës, Kërçovës, Gostivarit, Tetovës, Shkupit dhe Kumanovës.

Drejtuesi i këtij Projekti, Agim Nuhiu theksoi se në këtë projekt janë bërë hulumtime për numrin e lëndëve të deponuara në gjykatat themelore përkatëse, inicimin e tyre sipas parimit të dispozitivitetit dhe oficialitetit. 

“Hulumtimi ka përfshirë lëndët e karakterit jokontestimor, përkatësisht janë testuar dhe identifikuar çështjet e karakterit procedural në katër llojet e procedurave kontestimore, përfshirë procedurën për rregullimin e statuseve të subjekteve të së drejtës, procedurën për rregullimin e çështjeve pronësore, procedurën për rregullimin e  çështjeve familjare, procedurën që ka të bëjë me vlefshmërinë dhe ruajtjen e dokumenteve dhe depozitat gjyqësore”, tha Agim Nuhiu. 

Dekani i Fakulteti Juridik, Mersim Maksuti tha se me këtë hulumtim studentët e Fakulteti Juridik kanë analizuar më në detaje se me çfarë problemesh ballafaqohen gjykatat. “Të jesh student në ciklin e studimeve master do të thotë të kesh hyrë në ujërat e shkencës dhe ne presim nga gjeneratat e reja që vijnë e të merren me shkencë dhe ata do të jenë studentët e së ardhmes në shkencë, e cila vërtet do të gjejë se cilat janë mangësitë, dobësitë, problemet që shfaqen me ushtrimin e funksioneve rreth gjykatave në këtë shtet”, theksoi Dekani i Fakulteti Juridik, Mersim Maksuti. 

Përndryshe, për secilin segment të hulumtuar përpos përshkrimeve të të dhënave të mbledhura, janë dhënë edhe përfundime shkencore të bazuar në faktografinë relevante, larg paragjykimeve aprioristike. Ajo që është për t’u veçuar me këtë rast janë përfundimet (konkluzat) si në vijim: 

“Gjykatat në procedurë jokontestimore veprojnë dhe vendosin mbi të drejtat dhe interesat personale, familjare dhe të drejtave të tjera dhe interesave juridike dhe pasurore, kurse në procedurën kontesimore gjykojnë për kontestin midis palëve të caktuara, duke bërë zgjidhjen sipas bindjes së formuar të gjyqtarit dhe me zbatim të së drejtës materiale dhe procedurale”.

Lajme të ngjashme

Back to top button