Opozita reagon ndaj miratimit të ligjeve me procedurë të shpejtuar

112  ligje me procedurë të shpejtë u gjendën sot para deputetëve. Kjo nxiti reagimin e opozitës. Nga LSDM-ja u shprehën se është e papranueshme që në procedurë parlamentare të miratohen më tepër ligje me procedurë të shpejtë se sa me procedurë të rregullt. Sugarevski nga kjo parti madje tha se kjo paraqet edhe një tentim për të fshehur pasojat e ligjit katastrofal për administratë.

“Zoti Veljanoski ju gjatë ditës së djeshme janë dërguar 112 ligje deri tek deputetët të cilat duhet të shqyrtohen sot…Çka ndodhi, që gjatë gjithë ditës së djeshme arrinin në parlament ligje me procedurë të shkurtër, a thua në shtet kemi gjendje të jashtëzakonshme për çka ne deputetët nuk jemi në dijeni”, deklaroi Goran Sugarevski, LSDM.

“Çdo parashtrues i autorizuar, siç jeni ju ashtu është edhe qeveria,  kur do ta parashtroj ligjin deri të Kuvendi, është obligim i imë në pajtim me rregulloren që ta vë në procedurë parlamentare”, u përgjigj Trajko Veljanoski, kryetar i Kuvendit.

Edhe deputeti i PRSD-së Goran Misovski shtroi pyetjen se mos vallë Maqedonia është në gjendje të jashtëzakonshme apo gjendje lufte.  Sipas tij pas këtyre ndryshimeve  fshihen qëllime për ndarjen e biznesit mes partnerëve të koalicionit.
Reagoi edhe PDSH-ja opozitare duke akuzuar BDI-në. Sipas Imer Aliut, BDI-ja do ti votoj ligjet të cilat deputetët, përfshirë edhe ministrat e kësaj partie nuk kanë arritur as ti lexojnë. 

“Duhet ta dini se në thuajse të gjitha këto ligje që sot janë në propozim ndryshim  ka dispozita që janë diskriminuese për shqiptarët.  Në gjithë këto, mungojnë dispozitat që kanë të bëjnë me avancimin e të drejtave të shqiptarëve, që është përdorimi i gjuhës shqipe dhe përfaqësimi i drejtë dhe adekuat”, u shpreh Imer Aliu, PDSH.

“Tendenca jonë për ti kaluar këto ligje, është që përfundimisht për administratorët shtetëror dhe për nëpunësit në sektorin publik, punësimet do të bëhen me pëlqim edhe të Sekretariatit për Implementim të Marrëveshjes së Ohrit”, theksoi Nexhati  Jakupi, BDI.

Lajme të ngjashme

Back to top button