Universiteti i Tetovës e shënoi 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit

Me organizimin e një akademie solemne, Universiteti i Tetovës e shënoi 104 vjetorin e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, ditë kjo e cila nga shqiptarët anekënd botës njihet si Dita e Flamurit.

Dekani i Fakultetit Filologjik i Universitetit të Tetovës, Doc. Dr. Fatmir Sulejmani, në hapjen e akademisë, para të pranishmëve theksoi se Universiteti i Tetovës këtë ditë e kremton me shumë respekt, nga se na e kujton të shkuarën e lavdishme historike.

,,Ndjehem i privilegjuar që, në emrin tim, në emrin e Rektorit Prof. Dr. Vullnet Ameti dhe gjithë drejtuesve të UT, t’ju përshëndes dhe t’ua uroj përzemërsisht 28 Nëntorin – Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë natyrale.  Siç e dini, në vazhdën e aktiviteteve për shënimin e datave të rëndësishme historike dhe kulturore, Universiteti ynë e ka kremtuar gjithmonë me respekt të veçantë edhe Ditën e  Flamurit, për të cilin Faik Konica – personaliteti më emblematik i Rilindjes Kombëtare, thoshte: ,,Flamuri përmbledh kujtimet e shkuara të një kombi në një gjuhë të pashkruar, që mund ta kuptojë syri dhe zemra e çdo njeriu me ndjenja. Cilat janë kujtimet që shfaq, duke valuar, Flamuri ynë? Nuk janë kujtime goditjesh kundra fqinjëve, nuk janë kujtime lakmirash dhe rrëmbimesh: janë kujtime vetëmbrojtjeje me mundime të palodhura dhe me trimërira të gjata e të forta, që kanë lënë gjurmë në letërsitë e gjithë popujve të qytetëruar. Nga kjo pikëpamje mund të mburremi se Flamuri ynë, siç është njëri nga më të vjetrit e botës, është dhe njëri nga më të drejtët”. Kjo ditë e madhe na e kujton të shkuarën e lavdishme historike, po dhe hidhësitë e copëtimeve tragjike të trungut etnik, me ç’rast, deri në shpalljen e Kosovës shtet i pavarur, më shumë se gjysma e territorit dhe popullit shqiptar mbeti nën thundrat e fqinjëve nepërka, të cilët, edhe në rrethanat e reja akoma nuk kanë hequr dorë nga tendencat e zhbërjes sonë nga faqja e dheut, sado që i kanë sofistikuar mekanizmat drobitëse të idealeve të gjalla rilindëse”, tha Doc. Dr. Fatmir Sulejmani.

Ai, mes tjerash shtoi se, përkundër vështirësive me të cilat vazhdojmë të përballemi si komb, ne e kemi kuptuar më në fund se çelësi që hap dyert e një historie ndryshe prej asaj të stërgjyshërve, është në duart tona. ,,Prej nesh varet, a do të lejojmë akoma të na përçajnë e të na bëjnë pikë e pesë, për të na sunduar më lehtë, si dikur, apo do të lëmë mënjanë hasmëritë ndërvëllazërore dhe do të punojmë përnjëmend për kultivimin e frymës përbashkuese të energjive, që nuk kërkojnë asgjë më shumë se orientim të drejtë. Së këndejmi, unë jam i bindur se rinia shqiptare, në veçanti ajo studentore, është e vetëdijshme për sfidat e kohës, që nuk janë aspak më të lehta se sfidat e pararendësve tanë.

dita-e-flamurit-ut-2

Jam i bindur se ju, studentë të dashur, që sot keni në dorë armën e fuqishme të dijes, do ta gjeni rrugën e kompensimit të kohës së humbur në vorbulla shekujsh, për të mos e derdhur kurrë më djersën për të tjerët dhe, mos e dhëntë Zoti, të lini kockat për flamujt e të tjerëve. Ju jeni ata që do të dini t’i dalloni miqtë prej armiqve dhe dashamirët prej dashakëqinjëve; që do t’i njihni me lehtësi ata që ua hanë hisen e bukës dhe ata që e konsumojnë dritën e diellit tuaj; ata që përpiqen t’ua brejnë substancën etnike dhe ata që tentojnë t’ua ndryshojnë kodin identitar… Ju do të dini të mbroni të drejtat tuaja legjitime kolektive dhe individuale; t’i imponoheni botës me vlera dhe profesionalizëm të lartë në të gjitha fushat e dijes; të jeni pjesëmarrës dhe hisedarë të mirëfilltë në garën e përhershme ndërmjet etnish dhe qytetërimesh. Kjo është rruga e vetme që e bën të përjetshme Shqipërinë dhe shqiptarët. Rrugët tjera nuk janë tonat”, u shpreh Doc. Dr. Fatmir Sulejmani.

Ndërsa, Prof. Dr. Zeqirja Rexhepi, për nder të kësaj date të rëndësishme për kombin tonë, para të pranishmëve e paraqiti referatin tematik. Ai tha se kremtimi i 28 Nëntorit, ditës së shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë është bekim për një komb të lashtë, siç janë shqiptarët, pavarësisht kalvareve që na shkaktuan regjimet e të huajve – kush më shumë e kush më pak, e kaluara e popullit tonë qëndron mbi lavdi.

dita-e-flamurit-ut-3,,Në asnjë cep të historisë ballkanike nuk mund të zbulosh asnjë tendencë të vetme hegjemoniste ndaj të tjerëve. E veçanta e jonë nga evropianët dhe fqinjët tanë ballkanas, është fakti se, në kërkim të lirisë tonë, ne shqiptarët nuk hartuam projekte për të sfiduar lirinë e të tjerëve. Këto virtyte fisnike, tek shqiptarët janë përcjellë brez pas brezi, duke na bërë të veçantë në tërë kontinentin evropian.  Andaj, historishkruesit shqiptarë në kohën e sotme, duke pasur ndërgjegjen e pastër kombëtare, pa frikë mund të përballen me të kaluarën, e t’u shpjegojnë brezit të ri, me krenarinë më të madhe, gjë që nuk mund të thuhet se kjo mund të ndodh edhe te historishkruesit e disa popujve fqinj, ndërgjegjja kombëtare e të cilëve është e ngarkuar me krime tepër të rënda kundër njerëzimit. Sot, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia me shqiptarët në të, janë shndërruar në faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkan dhe në Evropë, ndërkaq populli shqiptar ka krijuar hapësirë zhvillimi në të gjitha sferat e jetës shoqërore, për të kontribuar me vlerat e tij në arenën e qytetërimit evropian dhe botëror”, theksoi Prof. Dr. Zeqirja Rexhepi.

Dita e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, 28 Nëntori është festa më e madhe dhe më e rëndësishme për shqiptarët e të gjitha trojeve, pasi që na kujton se jemi një, pavarësisht bindjeve e ndarjeve ideologjike, religjioze, krahinore e dialektore.  Po ashtu, kjo akademi u begatua edhe me një program artistik të përgatitur nga studentët e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button