Vazhdon dominimi i KM Liria, fituese e Kupës së Maqedonisë
Me garat në kampionatin shtetëror për junior që të dielën u mbajt në organizim teknik të KM “Liria” nga Shkupi në sallën e sporteve “Shaban Tërstena”, u mbyll edhe zyrtarisht viti i garimit në mundjen e Maqedonisë, vit ky që dëshmoi edhe një herë dominimin e plotë të KM “Liria”.
Ngjashëm sikurse vitin e kaluar, por tani me dominim edhe më të madh, “Liria” fitoi me plot meritë Kupën e Maqedonisë, me gjithsej 248 pikë të fituara, me ç’rast kupën e merituar, e ndau Ministri i Ekonomise, Driton Kuçi.
Se sa bindëse ishte KM “Liria” sivjet, flet vet fakti që ndaj ekipit të radhitur në pozitën e dytë në fund të garave, KM “Tefejuz”, ku kishte epërsi prej plot 120 pikë. Ndërkohë, KM “Tefejuz” është shpallur kampion shtetëror në kategorinë e juniorëve. /Portalb.mk/