Rrëfimi i të mbijetuarit në aksidentin tragjik në Kukës

Servet Hoxha (18) nga Kukësi, i cili i mbijetoi mrekullisht aksidentit tragjik të ndodhur mëngjesin e djeshëm në aksin rrugor Kukës-Shishtavec, ka rrëfyer se si ka ndodhur aksidenti ku humbë jetën gjashë persona.

“Gjithçka ndodhi shumë shpejt. Në momentin që ramë me furgon në greminë, unë së bashku me vajzën 3 vjeçe të dajës dolëm nga dritarja e automjetit. Ajo që pashë me sy ishte e tmerrshme. Pashë të vdekur dhe të plagosur që bërtisnin me të madhe dhe kërkonin ndihmë. Falë Zotit unë munda të mbijetoj si dhe të shpëtoj nga vdekja kushërirën time të mitur”, deklaroi dje, 18-vjeçari Servet Hoxha.

I riu pohoi se po udhëtonte nga fshati Topojan për në qytetin e Kukësit së bashku me gjyshen e tij, Zyrie Kovaçi, 74 vjeçe, dhe vajzën e mitur D. Kovaçi, të cilat, dy ditë më parë kishin shkuar për vizitë tek familja e tij. Në një intervistë dhënë nga Spitali Rajonal i Kukësit ku ndodhet i plagosur, Hoxha rrëfeu me detaje skenën e përgjakshme, ku humbën jetën 6 persona si dhe u plagosën 7 të tjerë.

E mban mend momentin kur ndodhi aksidenti?
Hoxha: Ndodhi shumë shpejt. Sapo ishim nisur. Me aq sa më kujtohet ishte ora 6:30. Kishim shumë pak minuta që ishim nisur për udhëtim. Nuk mbaj mend shumë gjëra. Vetëm kur kemi parë që u rrëzuam.

Cili mendoni se ishte shkaku?
Hoxha: Rruga e keqe. Rruga e keqe (përsërit disa herë ai dhe familjarët që ishin në dhomë).

Po shoferi, se nga mosha dukej shumë i ri për të drejtuar furgonin e pasagjerëve, a kishte patentën për të drejtuar mjetin?
Hoxha: Shoferi ishte i ri, por kishte përvojë sepse kishte afër 7 vjet që drejtonte fugonin. Për patentë nuk di nëse kishte apo jo. Por, di që këtë rrugë e bënte çdo ditë dhe prej kohësh.

Çfarë patë në momentin që përfunduat poshtë, në një humnerë prej më shumë se 100 metrash?
Kam parë të plagosurit që vetëm bërtisnin dhe kërkonin ndihmë. Kam parë dhe ata që mbetën të vdekur. Ishte tmerr ajo çfarë pashë me sy. Nuk dua të kujtoj më. Është shumë e rëndë.

Nga ishin pasagjerët e tjerë?
Hoxha: Nga fshatrat e Nimçes, Topojanit, Shtrezës etj.

Po ti, ku po shkoje?
Hoxha: Unë po zbrisja në qytet bashkë me gjyshen dhe vajzën e dajës vetëm 3 vjeçe, për të cilën unë gjatë këtij aksidenti u bëra engjëlli i saj. E kam shpëtuar unë, pasi e kisha në prehër dhe e mbulova me krahët e mi dhe e mbajta fort që të mos vritej. Jam i lumtur për këtë fakt që vajza shpëtoi.

Si dole nga makina, e cila dukej e shkatërruar plotësisht, dhe kush jua dha ndihmën e parë?
Hoxha: Unë kam dalë nga dritarja, sepse xhamat u thyen, dhe nxora mbesën time D. Kovaçi. Më pas vrapova ashtu i gjakosur te shtëpia më e afërt e fshatit. Familjarët erdhën dhe i dhamë vajzës ndihmën e parë. Ajo shpëtoi mrekullisht. /Gazeta Shqiptare/

Lajme të ngjashme

Back to top button