Analistë e aktivistë: Të zgjohen studentët e USHT-së nga gjumi!

Ditë më parë, u miratua Ligji për administratë.

Ky ligj mes tjerash shuan ëndrrën e shumë të rinjve shqiptare për punësim, pasi për baze merr Listen e Shangait.

Dhe per çudi, askush nuk reagon, madje as edhe studentët.

Në vend të studentëve reagojnë analistë e aktivistë shqiptarë.

Ajo që ngjalli reagime në këtë rast ishte pozita jo e favorshme e USHT-së, e cila gjendet në fund të listës për dallim nga UEJL-ja, që është në vendin e dytë, tha mes tjerash analisti Xhelal Neziri.

‘Ligji është diskriminues për të diplomuarit si individë, pasi aftësitë dhe njohuritë nuk maten si kolektive por si individuale. Por, habitem se me çfarë lehtësie e pranuan këtë ligj studentët e USHT-së. Asnjë zë proteste, asnjë lëvizje në drejtim të kundërshtimit të ligjit. Kur është fjala për protesta duhet të theksohet edhe fakti se pozicioni i 13-të në listën me 19-të universitete është turp dhe nënçmim! Studentët së pari duhet të protestojnë për përmirësimin e këtij rangimi pasi si i tillë do t’ua pamundësojë të punësohen edhe në kompani të etabluara private në vend apo jashtë. Ky pozicion do të jetë një hendikep i madh për të gjithë të diplomuarit’ tha analisti Xhelal Neziri.

Rinia Shqiptare në Maqedoni po degradohet çdo ditë e më shumë, e në vend që universitetet tona të nxjerrin kuadro të reja që do të na udhëheqin në të ardhmen, ato prodhojnë vetëm kukulla të partive politike që i përdorin sipas interesave të tyre personale, thotë mes tjerash Enisa Bajrami, nga Instituti Alternativa Liberale.

‘Padrejtësi ndaj studentëve shqiptarë gjithmonë ka pasur duke filluar nga kushtet e ambienteve ku ata mësojnë, kualiteti i mësimdhënieve, trajnimet, mundësitë për praktika, bursa etj, por me sjelljen e ligjit për punësim në administratë mendoj që u arrit kulmi. Çdokush nga ne pyetet se pse studentët tonë nuk kanë guxim të reagojnë ndaj kësaj padrejtësie dhe përgjigjeja është shumë e thjesht: Parlamentet Studentore, nga të cilët duhet të fillojë iniciativa për protesta, kontrollohen komplet nga partitë në pushtet. Ata janë të pafuqishëm të marrën iniciativa për të mbrojtur interesat e studentëve sepse nuk guxojnë të kundërshtojnë urdhërat partiak që ju thuan të heshtin. Mendoj që kjo situatë është e tmershme.

Anita Latifi, aktiviste mendon se ky ligj do të jetë alarm që më me intenzitet të punohet në drejtim të avancimit të USHT-së.

‘Zëri i studentëve shqiptar, fatkeqësisht ka kohë që nuk është dëgjuar në nivelin që imponon gjendja në shoqërinë tonë. Sidoqoftë, sa i përket ngritjes së zërit kundër ligjit për nëpunës administrativ mendoj se nuk është çështjeqë i prek vetëm studentët e USHT-së, por edhe (madje në masë më të madhe) stafin akademik të këtij universiteti. Unë do të theksoj faktin që Universiteti i Tetovës që nga themelimi deri pas një dekade kur u legalizua punoi në kushte me standarde minimale dhe sado që të jetë punuar dhe investuar në dhjetëvjeçarin në vazhdim nuk mund të jenë arritur rezultate siç kanë universitet me histori më të gjatë. Ndoshta ky ligj do të jetë alarm që më me intenzitet të punohet në drejtim të avancimit të këtij insitucioni. Nuk duhet harruar që sjellja e ligjeve është çështje politike, ligjet miratohen në Kuvend dhe politika është ajo që ka fjalën kyçe’ tha Latifi./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button