Gostivar, qentë endcak jo më rrugëve të qytetit, transferohen në periferi

Nga dita e djeshme ka filluar aksioni intensiv i shërbimit për menaxhim me qentë endacak i Ndërmarrjes Publike “Komunalec”, për kapjen dhe për bartjen e qenve të rrugës në vende më të largëta. 

Edhe pse shërbimi ka qenë aktiv gjithë kohës, mirëpo për shkak se kohëve të fundit kjo dukuri është mjaftë shqetësuese dhe duke llogaritur faktin se numri i këtyre qenve po rritet dita ditës, intensiteti është rritur. 

Në dy ditë, janë kapur mbi dymbëdhjetë qen, shumica në pjesën qendrore të qytetit. Aksioni do të zhvillohet në të gjitha pjesët e Gostivarit, por fillimisht do të bëhet në brendi të qytetit. 

“Ndërmarrja “Komunalec”, në vazhdimësi ka qenë e angazhuar për eliminimin e kësaj dukurie. Pasi që është e ndaluar me ligj eliminimi i tyre fizik, ne po i kapin dhe i dërgojmë në pjesët sa më të largëta të qytetit ku nuk janë të banuara. Gjithashtu, jemi në bisedime me kryetarin e Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta për gjetjen e një zgjidhjeje të këtij problemi shumë delikat, pasi kjo kërkon edhe një investim të konsiderueshëm siç është një hapësirë të veçantë për këto kafshë dhe besoj se shumë shpejtë do gjejmë zgjidhje për këtë problem”, tha drejtori i Ndërmarrjes “Komunalec”, Memedali Xhaferi.  

Nga ndërmarrja u apelojnë qytetarëve që qentë e tyre ti mbajnë në shtëpi, sepse në rast se të njëjtit do gjinden nëpër rrugë, do të kapen dhe do të barten në vendet e pabanueshme jashtë qytetit.

Lajme të ngjashme

Back to top button