Arben Rusi, kryetar i ri i PPD-së bën thirrje për bashkim kombëtar (FOTO)

Sot në orët e pasditës, në Xhepçisht të Tetovës, në vendin e parë të themelimit të partisë së parë historike të shqiptarëve ne Maqedoni- Partisë Për Prosperitet Demokratik, këshilli nismëtar mbajti mbledhje konstitutive në të cilën u vendos riaktivizimi i kësaj partie. Morën pjesë dhjetra anëtarë-themelues të këshillit nismëtar, anëtarë dhe simpatizantë të kesaj partie në ditët e paraqitjes së saj në skenën politike në vitet 90, qytetarë nga Xhepcishti, Tetova dhe rethina, ishdeputetë dhe ishpërfaqësues institucional të kësaj partie nga shumica e viseve shqiptare në Maqedoni: Manastiri, Ohri, Gostivari, Shkupi, Kumanova, Dibra, Struga.

Në fjalën e hapjes të mbledhjes konstitutive, kryetari i këshilit nismëtar për riaktivizimin e PPD-së mes tjerash theksoi se riaktivizimi i kësaj partie bëhet në bazë të ndryshimeve të reja të Ligjit mbi partitë politike. 

Kryetari i Këshillit nismëtar për riaktivizimin e PPD-së, Xheladin Murati mes tjerash theksoi se trashëgimia politike dhe institucionale e PPD-së që nga paraqitja e saj dhe gjer në kohë të vonë përbën një aset të çmuar politik për shqiptarët e Maqedonisë dhe një kapital moral e politik që mund të frymëzojë për mobilizime të reja politike të shqiptarëve për t’i dalë Zot me dinjitet fatit të tyre politik në Maqedoni.

“Këshilli nismëtar i kësaj iniciative e kishte për borxh moral, prandaj, e ndërmori këtë hap të cilin e konkretizoj sot me vendimin për riaktivizimin e Partisë për Prosperitet Demokratik.” tha ai.

Me votim të hapur dhe të njëzëshëm të pjesmarësve në këtë mbledhje konstitutive, përfaqësues legal, gjegjësisht kryetar i PPD-së u zgjodh Arben Rusi, inxhinjer i diplomuar i arkitekturës.


“PPD-ja, me potencialin e intelektualëve që i mobilizoi në të kaluarën, la gjurmë të pashlyeshme në agun e jetës pluraliste në Maqedoni. Moskënaqësia në avansimin e të drejtave shqiptare, u reflektua në konfliktin e vitit 2001, në mes policisë dhe ushtrisë maqedonase me UÇK-në, që rezultoi me Marrëveshjen e Ohrit. Edhe pse afati i implementimit të kësaj marrëveshjeje ishte viti 2004, fatkeqësisht gjer në ditët e sotshme, viti 2014, kjo marrëveshje nëpërkëmbet. I vetmi rezultat janë punësimet partiake njëlloj si para konfliktit.Do të angazhohemi që veprimi politik i PPD-së të ripërtrihet me intelektualë të mirëfilltë, individë të rinjë të bashkangjitur nga rinia shqiptare, që do të dijë me sukses të përfaqësojë kërkesat e drejta të popullit që i takon.” tha Rusi.

Ai u bëri thirrje të gjithë intelektualëve dhe profesionistëve ti bashkangjiten PPD-së. 

“PPD nuk rikthehet për të gjykuar punën e konkurrencës politike dhe të kaluarës së veprimeve politike, por për të marrë një hap konkret drejt një të ardhmeje më me prosperitet për shqiptarët e Maqedonisë, gjithnjë duke shikuar përpara e jo prapa.Gjatë veprimit tonë politik do të udhëhiqemi nga parimet e të drejtës universale duke patur kujdes për ekuilibrin politik të situatës momentale. Synimi ynë do të jetë që politika të shpreh të njejtat norma morale si të etikës personale. Besojmë në vlerat e të drejtës e jo në ato të forcës.” tha Rusi.

Lajme të ngjashme

Back to top button