Pse nuk mund të devijohet Radika? (VIDEO)

Ndërsa është rritur ndjeshmëria i opinionit publik dhe mediatik për një projekt të mundshëm të shtetit maqedonas për lumin Radika, ajo që është e qartë është fakti se asgjë nuk mund të bëhet në mënyrë të njëanëshme nga shteti fqinj, të paktën nëse respektohet legjislacioni në fuqi, detyrues për palët për ujërat ndërkufitarë. 

Radika, që është bërë kryefjala e ditëve të fundit në arenën e politikës dhe më gjerë, është lumi që buron në Malin e Vracës, pjesë e Maleve të Sharrit në jug-perëndim të Kosovës dhe më tej kalon në Maqedoni dhe derdhjen e ka në Drinin e Zi. 

Me një gjatësi prej 67 km, lumi dallohet vecanërisht për pastërtinë e ujit. I  përfolur si i renditur në projektet e qeverisë maqedonase për devijimin e ujërave të tij në Vardar, ku parashihet ndërtimi i një hidrocentrali nga shteti fqinj, nisma has së pari në pengesat nga marrëveshjet dypalëshe. 

Marrëveshja e parë që Shqipëria dhe Maqedonia kanë ende në fuqi është detyruese për dy vendet.  Ajo shënon vitin 1956, kur Maqedonia ishte pjesë e ish-Republikës Jugosllave, me të cilën Shqipëria pati nënshkruar dokumentin ku të dyja palët marrin përsipër të zgjidhin me marrëveshje të gjitha cështjet e ekonomisë ujore. 

“Dispozitat e marrëveshjes shtrihen mbi të gjitha cështjet e ekonomisë ujore, masat dhe punimet në rrjedhjet e ujërave që formojnë kufirin shtetëror”. 

Këtë marrëveshje Maqedonia pranoi ta trashëgojë më pas, pas shkëputjes së saj nga ish-Jugosllavia. 

Mes vitit të largët 1956 deri në 2011, kur Maqedonia është firmosëse e një tjetër marrëveshjeje, nuk ka  pasur asnjë kërkesë të shtetit fqinj për rishikimin e ndonjë pikë të saj, as gjatë mbledhjeve të komisioneve të përbashkëta ndër vite. 

Më 18 prill të 2011 shtetet e rajonit, mes tyre Maqedonia nënshkroi këtë marrëveshje: “Drini, një vizion i përbashkët strategjik”. Mes angazhimesh të tjera ndërshtetërore për ujërat, marrëveshja parasheh që palët t’i referohen Konventës së Kombeve të Bashkuara të 1992-it, për mbrojtjen dhe përdorimin e ujërave ndërkufitare dhe liqeneve ndërkombëtare. 

Pika C e nenit dy të saj kërkon që palët: “Të sigurojnë që ujërat ndërkufitare të shfrytëzohen në një mënyrë të arsyeshme dhe të barabartë duke marrë në konsideratë të vecantë karakterin e tyre ndërkufitar në rastet e aktiviteteve të cilat shkaktojnë, ose kanë të ngjarë të shkaktojnë impakt ndërkufitar”. 

Marrëveshja për Drinin e 2011-ës gjithashtu përcakton qartë se korniza ligjore për t’u zbatuar në këtë kaskadë është ajo europiane, ‘Direktiva 2000/60’ e Parlamentit Europian, që në piken 35 saktëson se në raste kur ka efekte ndërkufitare zgjidhja duhet të jetë për gjithë kaskadën me marrëveshje. 

Nëse do të ketë një devijim të rrjedhës së Radikës, atëherë sipas ekspertëve, pasoja do të ketë edhe në kaskadën e Drinit. 

Megjithëse deklarimet e deritanishme të Tiranës zyrtare janë haptazi kundërshtuese të një projekti të tillë të Maqedonisë, reagimi qytetar vjen jo vetëm si parandalues i përsëritjes së praktikës së marrëveshjes ujore me Greqinë, që negocoi qeveria paraardhëse, por edhe për shkak se Radika, njihet edhe si pjesë e historisë shqiptare, e reflektuar më pas edhe në kulturën vendase. 

/ Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button