Komuna Qendër do ta rrënojë Car Dushanin dhe disa përmendore tjera

Revizioni në Komunën Qendër konfirmoi paligjshmërinë e përmendores së Car Dushanit dhe 11 të tjerave, duke paralajmëruar rrënimin e tyre. Menjëherë pas seancës së Këshillit Komunal të Qendrës, që duhet të mbahet ditëve në vazhdim, do të kërkohet ndihmë policore për heqjen e përmendoreve. Zhernovski shpreson se policia nuk do të vazhdojë më ruajtjen e ndërtimeve pa leje në Urën “Syri”.

“Do të shohim se si do të veprojë policia. Nuk mund të parashikoj, por nëse ministrja na bind se çdoherë punon duke u bazuar tek ligjet dhe kushtetuta, atëherë nuk i mbetet gjë tjetër veçse edhe në këtë rast të respektojë ligjet dhe kushtetutën”, deklaroi Andrej Zhernovski, kryetar i Komunës Qendër.

Revizioni ka gjetur dokumente që dëshmojnë se porositës dhe vendimmarrës për të gjitha përmendoret në këtë urë është Ministria e Kulturës. Në dokumente qëndron edhe firma e ministres Elizabeta Kançevska Milevska.

“Për realizimin e gjithë procedurës ka qenë e ngarkuar ministrja Elizabeta Kançevska Milevska. Ajo i ka dhënë të gjitha propozimet për komisionet. Sot do t’ju prezantojmë edhe dokument ku është nënshkrimi direkt nga ministrja e Kulturës”, tha Andrej Zhernovski, kryetar i Komunës Qendër.

Kançevska Milevska pwr Tv Alsat, mohonte të kishte gisht mbi përmendoren e Car Dushanit.

“Ministria e Kulturës nuk është as porositës e as ngritëse e përmendores. Iniciativa nuk është ngritur nga Ministria e Kulturës. Bëhet fjalë për përmendore të vendosura në urë. Kështu që ata që kanë realizuar urën, si investim të dikujt, aty duhet të drejtoheni. Nuk mund t’ju përgjigjem sepse ne si ministri nuk jemi porositës”, deklaroi kohë më parë Elizabeta Kançevska-Mileska, ministre e Kulturës.

Sipas Revizionit, 5 përmendoret për të cilat ishte marrë vendim nga Komuna Qendër; të ligjshme, të paguara dhe të përfunduara, nuk janë vendosur në Urën Syri, por në vend të tyre janë ngritur 12 përmendoret e paligjshme. 5 përmendoret e ligjshme janë gjetur në një depo dhe nuk dihet për ku kanë qenë ri-destinuar. Zhernovski paralajmëroi se pas largimit të përmendoreve të paligjshme, do të vendosë 5 përmendoret për të cilat ka qenë marrë vendimi. Nga ana tjetër ai përsëriti qëndrimin se sapo të jenë gati, do të vendosen edhe 3 përmendoret shqiptare.

Lajme të ngjashme

Back to top button