Për dy muaj do të dihen efektet e devijimit të Radikës

Kompania franceze ‘BRL Ingeinerie’ do të vlerësojë ndikimin e projektit për rezervuarin ‘Fushë Llukovë’, ndaj mjedisit jetësor. Investitori i projektit, respektivisht kompania energjetike ELEM njoftoi se studimi mbi vlerësimin e ndikimit ndaj mjedisit jetësor dhe aspekteve sociale, pritet të përfundojë për rreth 2 muaj

Pas kësaj procedure, do të vijojë shqyrtimi publik i projektit ku do të mund të bëjnë vërejtjet e tyre të gjitha palët përkatëse. Nga kompania ELEM gjithashtu njoftojnë se vërejtjet eventuale do të përfshihen në projekt përpara hapjes së debatit publik mbi të.
 
“Do të respektohen të gjitha kriteret dhe direktivat për mbrojtjen e mjedisit jetësor. Projekti është në përputhje me konventat ndërkombëtare për ujërat” u shprehën për Portalb nga Kompania energjetike, ELEM.
 
Me realizimin e projektit të rezervuarit ‘Fushë Llukovë’, Maqedonia do ta ul varësinë nga importi i energjisë elektrike ndërkaq do të mbrojë edhe mjedisin jetësor duke zmadhuar pjesëmarrjen e burimeve të ripërtërishme, shtojnë nga ELEM.

Nga ministria e ambientit jetësor thonë për Portalb se kur ta pranojnë këtë studim, do ta vlerësojnë dhe do të japin apo jo leje që i njëjti të ndërtohet.
 
Megjithatë krahas pretendimeve të tilla të ELEM, banorët e Dibrës vazhdojnë të ngrenë zërin kundër këtij projekti, i cili sipas tyre paraqet katastrofë ekologjike. Ata dërguan peticion deri te Qeveria e Maqedonisë që të ndalet ky projekt.
Deputetja nga Dibra, Luljeta Marku u shpreh kundër projektit për devijimin e rrjedhës së lumit Radika

Banorët e Dibrës nga protestat e disa dite më parë morën mbështetjen edhe nga Shqipëria. Aleanca Kundër Devijimit të Lumit Radika ka protestuar kundër projektit maqedonas, për ndërtimin rezervuarit që devijon rrjedhën e lumit Radika, duke aluduar edhe për një marrëveshje me Qeverinë shqiptare për këtë çështje.
 
Por Ministri i Energjetikës dhe Industrisë të Shqipërisë Damian Gjiknuri, ka hedhur poshtë pretendimet për ekzistimin e ndonjë marrëveshjeje për devijimin e lumit Radika, mes Maqedonisë dhe Shqipërisë. 

Megjithatë ish-kryeministri Sali Berisha, në një takim me kryetarin e Komunës së Dibrës, Ruzhdi Lata, deklaroi se qeveria shqiptare është  informuar gjerësisht nga pala maqedonase për projektin e devijimit të lumit Radika dhe në kuadrin e politikës së saj “zero probleme me fqinjët” e ka miratuar në parim këtë projekt. Sipas Berishës ky projekt jo vetëm që ka pasoja ekologjike dhe ekonomike për popullsinë e Dibrës, por devijimi i rrjedhës së lumit cënon interesin shtetëror shqiptar. 

Nga Banka Botërore, njoftojnë se nëse banorët janë kundër projektit, atëherë paratë për projektin do të tërhiqen. Në realizimin e projektit duhet të përfshihen Shqipëria, Greqia, Kosova dhe Mali Zi. Një pjesë e ujërave që përfundojnë në pellgun e Adriatikut, do të ridrejtohen në Egje.

Ministrat, i Ekologjisë Abdilaqim Ademi dhe ai i Ekonomisë Valon Saraçini, siguruan se do të bllokojnë ndërtimin e rezervuarit ‘Fushë Llukovë’ nëse vërtetohet se me të do të rrezikohen ambienti jetësor. Pritet të shohim sa do ta mbajnë këtë premtim?  /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button