VMRO: Zaev ka keqpërdorur paratë e Komunës së Strumicës

“Zoran Zaev i ka mundësuar firmës së kushëririt të tij Trajçe Zaev të përfitojë rreth 400 mijë euro, përmes furnizimeve publike me komunën e Strumicës”, akuzoi Aleksandar Kolev nga VMRO DPMNE-ja.

Firma ‘ADG Pelagonija Strumica’ në të cilën Trajçe Zaev është njëri nga pronarët, ka marrë 15 furnizime publike nga Komuna e Strumicës me një vlerë prej 24.171.900 denarë. 12 prej të cilëve janë kontraktuar në mënyrë direkte me Komunën e Strumicës me vlerë prej 12.573.069 denarë, ndërkaq 3 prej tyre përmes ndërmarrjes komunale në vlerë prej 11.598.831 denarë, theksojnë nga VMRO DPMNE-ja.

Këto 15 tenderë me Komunën e Strumicës, firma ‘ADG Pelagonija Strumica’ i ka fituar në vitin 2008, kur në krye të firmës ka ardhur kushëriri i Zoran Zaevit, akuzojnë nga partia në pushtet.

“I bëjmë thirrje Zoran Zaevit të përgjigjet përse pikërisht firma në të cilën një ndër pronarët është kushëriri i tij Trajçe Zaev ka fituar 15 tenderë me Komunën e Strumicës. Zoran Zaev ka për obligim që para opinionit maqedonas, të zbardh procedurën e përgjithshme të tenderëve dhe dokumentacionin e 15 furnizimeve publike në vlerë të përgjithshme prej 400 mijë euro”, deklaroi Aleksandar Kolev nga VMRO DPMNE-ja.

Për partinë në pushtet pikërisht përmes firmave që ka themeluar Zoran Zaev, shpërdoren paratë e buxhetit të Strumicës, pasi ato përfundojnë në xhepat e familjes Zaev.

Lajme të ngjashme

Back to top button