Lenjani operon veshin: Kthehem më i fortë

Ermir Lenjani ishte lojtari i parë i kuqezinjve që u zëvendësua në përballjen me Spanjën. Mesfushori nga Prishtina u detyrua të braktiste stadiumin “Loro Boriçi” prej pushimit të lojës, për shkak të një lëndimi në vesh. Pas shtrimit me urgjencë në spitalin Amerikan në kryeqytet, 27-vjeçari tregon dinamikën e episodit.

“Gjatë një aksioni në ajër me Thiago Alcantara, të dy kërcyem dhe ai më goditi me brryl. Mu ça veshi dhe doktori i Kombëtares më tha që nuk mund ta vazhdoja lojën dhe u nisëm menjëherë drejt Tiranës për tiu nënshtruar operacionit”, tregon Lenjani për SuperSport.

Ashtu si të gjithë lojtarët, Lenjani nuk donte kurrësesi ta humbiste përballjen me Spanjën. Në fushë nuk ndjeu aspak dhimbje, madje kërkoi të rikthehej në pjesën e dytë të ndeshjes, por stafi mjekësor i Kombëtares vendosi zëvendësimin e tij.

Ermir Lenjani: “Isha ende në adrenalinën e lojës dhe nuk e ndjeja aspak dhimbjen. Por, doktori më tha që nuk mund ta vazhdoja lojën, sepse duhej ta ngjisnim sa më shpejt veshin që u ça. Kisha vetëm dhimbje në fillim kur isha në tokë. Kur më thanë se kisha gjat, i kërkova ta lidhnin që të luaja, por mjekët ma ndaluan.”

Operacionit të kaluar me sukses, Lenjani qetëson të gjithë tifozët e Kombëtares, duke përcaktuar edhe afatin e rikthimit në fushë, edhe pse fjalën e fundit do ta kenë mjekët.

Ermir Lenjani: “Lajmërova menjëherë familjarët, ndërsa isha rrugës për Tiranë. Operacioni kaloi me sukses dhe tani jam shumë mirë. Shpresoj të kthehem më i fort. Mendoj se pas dhjetë ditësh do të kthehem në fushë.”

Në fund, edhe një koment për humbjen me Spanjën, ku Ermir Lenjani mendon se Kombëtarja shqiptare do të ringrihet për duelin tejet të rëndësishëm të 12 Nëntorit me Izraelin.

Ermir Lenjani: “Spanja e meritoi fitoren, një ekip shumë i fort. Tashmë duhet të shohim përpara për ndeshjen me Izraelin që është shumë e rëndësishme për ne dhe shpresojmë të fitojmë.”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button