Universiteti i Tetovës dhe MPB nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

Universiteti i Tetovës (UT) dhe Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) e Republikës së Maqedonisë kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi të ndërsjellë për zbatim efikas të kompetencave të përcaktuara me ligj që do të kontribuojë për këmbimin e përvojave, kuadrove profesionale nga lëmi i sigurisë, i së drejtës, ekonomisë, informatikës.

Marrëveshja u nënshkrua nga Rektori i UT-së Vullnet Ameti dhe Zëvendës ministri i Punëve të Brendshme, Agim Nuhiu.

Siç thuhet në njoftimin e UT-së, marrëveshja ka të bëjë me interesin e përbashkët për avancimin e bashkëpunimit në lëmin e edukimit dhe trajnimit të kuadrove nga lëmi i sigurisë, të së drejtës dhe ekonomisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi të Republikës së Maqedonisë.

UT dhe MPB, thuhet më tej në njoftim u pajtuan që të bashkëpunojnë në mënyrë të ndërsjellë me qëllim të këmbimit të përvojave, njohurive, edukimit dhe trajnimit të kuadrove nga lëmi i sigurisë dhe kriminalistikës.

Rektori i Universiteti të Tetovës, Vullnet Ameti tha se sipas marrëveshjes palët do të bashkëpunojnë në forma të ndryshme.

“MPB dhe UT do të bashkëpunojnë përmes organizimit të seminareve, tryezave të rrumbullakëta dhe formave të tjera të bashkëpunimit, edukimit dhe trajnimit të kuadrove nga Ministria e Punëve të Brendshme në Fakultetin Juridik, dhënien e ndihmës profesionale nga ana e Universitetit të Tetovës gjatë përgatitjes së propozimeve të caktuara të akteve ligjore dhe nënligjore, që janë në kompetencë të MPB-së, angazhimit të ekspertëve nga MPB-ja (juristë, teknikë të kriminalistikës, inspektorë dhe kuadër tjetër profesional), në procesin mësimor të Universitetit të Tetovës, etj”, tha Ameti.

Kontestet që mund të rezultojnë gjatë zbatimit të këtij Memorandumi për bashkëpunim, do të zgjidhen me marrëveshje të ndërsjellë mes Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Universitetit të Tetovës thuhet në njoftim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button