Shala zbulon sekretin: Ia kisha dhënë fjalën Bunjakut

Ishte muaji gusht i vitit 2014 kur Herolind Shalën e vërshuan ofertat për të luajtur për Përfaqësuese të ndryshme. Pasi kishte shkëlqyer me Shqipërinë U21, oferta e parë i erdhi nga Kosova, pastaj e ftoi Norvegjia dhe në fund Kombëtarja e madhe e Shqipërisë.

Djaloshi fillimisht ia kishte dhënë fjalën Kosovës, pasi FFK i kishte nxjerrë edhe biletën e aeroplanit dhe i kishte dërguar ftesën, por thirrja e De Biasit ndryshoi gjithçka.

Në një rrëfim ekskluziv, Shala tregon për Telegrafin se si zgjodhi të luante për Shqipërinë, ku nga muaji shtator i vitit 2014 nuk mungoi në asnjë grumbullim edhe pse nuk i kishte hapësirat e duhura në Kombëtare ndërsa në klub luante gjithnjë, shënonte gola e asistonte.

“Kosova më kishte nxjerrë biletën për grumbullim dhe i pata dhënë fjalën se do të luaj për ta. Në fund ishte lajmëruar edhe Shqipëria dhe pasi bisedova me trajnerin Albert Bunjaku ai më këshilloi t’i bashkohem Shqipërisë për ta ndihmuar në kualifikime”, shprehet Shala.

“Që nga ndeshja e parë me Portugalinë kam qenë gjithmonë i grumbulluar dhe kam pritur rastin tim. De Biasi e ka ditur që unë kam refuzuar Norvegjinë dhe pastaj më ka dhënë leje Albert Bunjaku për t’iu bashkuar Shqipërisë”.

“Kam pasur formë shumë të mirë me klubin gjithmonë por nuk më është dhënë rasti në Kombëtare. Nuk kam qenë një që kam shkaktuar probleme por i kam respektuar gjithmonë zgjedhjet e trajnerit pasi për mua ka qenë e rëndësishme Shqipëria të ketë sukses”, thotë Shala për Telegrafin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button