Për Hashim Thaçin vizita e Xho Bajdenit është historike

Para arritjes së sotme në Prishtinë, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se vizita e zëvendëspresidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xho Bajden është vizitë historike për Kosovën duke shtuar se ai është i përkushtuar për paqe në rajon.

“Në Republikën e Kosovës vjen zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bajden . Kjo vizitë e mikut të Kosovës shënon një moment të ri dhe historik për Kosovën. Tash e 26 vite, zëvendëspresidenti Bajden është i përkushtuar për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë”, ka shkruar Thaçi në profilin e tij në Facebook.

Thaçi thotë se populli Kosovës është krenar me mikun e tij, i cili edhe dha një kontribut në lirimin dhe pavarësimin e Kosovës.

“Populli i Kosovës është krenar me mikun i cili që nga fillimi i viteve nëntëdhjetë ishte shpresa dhe zëri i fuqishëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës në Uashington. Miqësia e Kosovës me SHBA-në është e përjetshme. Kosova dhe populli i saj i janë mirënjohës për jetë zëvendëspresidentit Bajden dhe familjes së tij për kontributin e tyre. Zoti e bekoftë Kosovën, Zoti e bekoftë SHBA-në”, ka përfunduar postimi i tij.

Nënpresidenti amerikan, Xho Bajden me bashkëshorten e tij Xhil në Prishtinë do të arrijnë sonte,  ku pritet që të zhvillojë takime me drejtues të lartë të institucioneve.

Sipas Ambasadës Amerikane të Kosovës, qëllimi i vizitës së njeriut të dytë në administratën e Barak Obamës është mbështetja e proceseve demokratike nëpër të cilat po kalon Kosova.

Sipas agjendës së Ambasadës Amerikane në Kosovë, nënpresidenti Xho Bajden arrin në Kosovë sonte, ndërkaq të mërkurën do të ketë takime me kryeministrin Isa Mustafa dhe presidentin Hashim Thaçi.

Biden po ashtu do të shkojë për vizitë afër kampit “Bondsteel”, ku do të marrë pjesë në ceremoninë e emërimit të rrugës kushtuar djalit të tij të ndjerë, Xhozef R. “Bo” Bajden.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button