PALLAVRA PRIFTËRISHTE

Ngjallja e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve ortodoksë të Rekës së Josif Bagerit ka shqetësuar qarqe të caktuara njerrëzish që nuk mund ta gëlltisin këtë rilindje – kthimin e këtyre njerëzve në prehërin e identitetit të tyre të mirëfilltë. Kjo u dëshmua dhe dje në gazetën “Dnevnik”, e cila gdhiu me titullin bombastik “Manastiri i përvetësuar i Bigurit nga Shqiptarët ortodoksë!?”, i ilustruar me dy kopertinat e librave të Branisllav Sinadinovskit mbi shqiptarët ortodoksë të Maqedonisë (versionet shqip e maqedonisht), të vendosur mbi sfondin e fotografisë së këtij tempulli të lashtë fetar.

Shkasin për merakun atipik të gazetarit që përpiqet të dalë nga anonimiteti me pallavra rrënuese të bashkëjetesës edhe ashtu të brishtë ndërmjet dy etnive kyçe të vendit e gjejmë që në paragrafin hyrës të shkrimit: “Nuk është korrekte të bëhen kësi falsifikimesh që prezantojnë manastirin si tempull të shenjtë të Shqiptarëve ortodoksë, thekson igumeni Partenie për shfrytëzimin e fotografisë së manastirit në kopertinën e librit ‘Shqiptarët ortodoksë në Republikën e Maqedonisë’”.

Në vijim “gazetari” sjell shqetësimin e një kleriku, që, në një shoqëri normale, do të duhej t’i prijë betejës së mirëkuptimit dhe tolerancës ndërmjet besimtarëve ortodoksë me përkatësi të ndryshme etnike, jo trashjes së mosdurimeve dhe zgjerimit të antagonizmave të panevojshëm për të ardhmen e vendit. Atë e ka revoltuar shumë fragmenti i pamjes së manastirit në kopertinën e versionit shqip të librit të Profesor Sinadinovskit, në të cilin e sheh gjithë prapavijën imagjinare të autorit, botuesit dhe atyre, që, siç shprehet prifti “qëndrojnë pas këtij projekti” – pas aktit të botimit të një vepreje që, në fakt, shpërfaq të vërtetën e asimilimit me marifete dhunash të shumëllojshme të një krahineje të tërë të populluar me shqiptarë ortodoksë. Shqetësimi është aq i madh sa prifti ia fut kuturu dhe merret jermas me teori konspiracionesh dhe muhabete dardha-te-kumlla…, që nuk janë të denja për t’i reprodukuar.

Në vijim, ashtu siç ndodh me gjithë pallavrat e montuara pa shijen dhe ndjenjën elemenytare të përgjegjësisë profesionale e njerëzore, thuhet se shfrytëzimi i paligjshëm i fotografisë së manastirit në librin për Shqiptarët ortodoksë të vendit dje shkaktoi reagimin e vëllazërisë së priftërinjëve të manastirit të Bigurit, që shqetësohet për shkak të prapavijës që prezanton tempullin e shenjtë si objekt qendror të shqiptarëve ortodoksë…

Kjo, thonë priftërinjtë, nuk ka guxuar të ndodhë pa lejen e tyre, veçmas për faktin se versionin shqip të librit e ka botuar UT, që nuk guxon të harxhojë para shtetërore për vepra të tilla. Dhe, që absurdi të ecë revan, prifti i merakosur, që pozon më shumë se një herë në faqet e gazetës, sqaron se manastiri është në shërbim të gjithë besimtarëve ortodoksë, pa dallim përkatësie etnike, por ai para së gjithash ka karakter maqedonas...

Lexojeni dy herë këtë thënie dhe lidhni, nëse këni mundësi, pjesën e parë me pjesën e dytë të fjalisë, që nis më një POR shumë domethënës, që shpërfaq “tolerancën” e njeriut të përshpirtshëm – priftit Partenie, në krahun e të cilit, natyrisht, është vënë dhe një bashklëpunëtor shkencor i ASHAM me gjasa shumë reale për të qenë nesër kompiluesi i versionit të plotësuar me zëra antishqiptarë të enciklopedisë qeshite të Bllazhevskit.

Kjo pra është esenca e pamfletit të djeshëm të gazetës, të cilën e këshilloj:

  • të mos turpërohet me shkrime të denja për gazetari të vërdhemtë shtonash;
  • të mos përpiqet ta risë numrin e lexuesve me bllofe rrënuese të bashkëjetesës edhe ashtu të brishtë ndërmjet dy etnive kyçe të vendit – Shqiptarëve dhe Maqedonasve;
  • të shkruajë më shpesh për Shqiptarët ortodoksë të Rekës dhe për kthimin e tyre te rrënjët e etnisë mëmë;
  • ta hulumtojë të vërtetën e asimilimit të Shqiptarëve ortodoksë me marifete dhunash të shumëllojshme dhe këtë t’ia përcjellë në vazhdimësi auditorit vendas dhe atij tjetrit që, për paradoks, di më shumë për këtë vend se pamfletistët e tebdilosur në gazetarë;
  • ta kuptojë se universitetet, si tempuj të dijes, kanë edhe të drejtën e botimit të veprave shkencore, veçmas kur ato janë në shërbim të së vërtetës, kur nuk fyejnë dinjitetin e askujt dhe kur nuk nxisin intolerancën, ksenofobinë dhe mosdurimin e tjetrit;
  • ta respektojë pjesën esëll të deklaratës së priftit, sipas së cilës: manastiri është në shërbim të gjithë besimtarëve ortodoksë…;
  • ta fisnikërojë maninë e ekslkluziviteteve të atyre që pandehin se gjithçka mbi këtë tokë dhe në këtë qiell është vetëm e tyre;
  • ta thotë shkoqur se manastiri i përvetësuar nga Shqiptarët ortodoksë të Rekës gjendet në krahinën ku jetojnë kryesisht ata që sot dëshmojnë për asimilimin kubar të bërë përgjatë dekadave të fundit;
  • të braktisë “të vërtetat” hipotetike dhe teoritë e konspiracioneve që ta çojnë mallin e shtypit të vërdhemtë serb të kohërave që mos u kthefshin më!;
  • t’i shohë dhe trajtojë shqiptarët si bashkëvendas dhe të mos e shtrembërojë akoma dioptrinë ndaj njërës prej etnive më autoktone në këto troje;
  • ta përmbyllë kllapën e burleskut të djallëzive të paketuara pa shije dhe pa sens elementar korrektësie e profesionalizmi…

Kaq për sot, sepse nuk dua të futem në sferat që sigurisht do t’i trajtojnë më mirë historianët e mirëfilltë Shqiptar dhe Maqedonas – ata që nuk e pispillosin të shkuarën me mashtrime ordinere dhe që nuk e keqpërdorin historinë për të problematizuar pa nevojë të sotmen.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button