SHËNIME NGA ZVICRA (VI)

Është koha të nisemi drejt botës tonë të përhershme dhe të dalim nga bota e ëndrrës.

Është koha të nisemi drejt botës ku gjithçka duhet të ketë mbetur ashtu sikurse ka qenë.

Është bota ku, siç thotë në një poezi Paul Celan, “valon flamuri të cilit s’ju betova  kurrë”.

Bota ime prej së vërteti nuk e dëshiron ndryshimin.

Bota ime prej së vërteti e ka frikë ndryshimin.

Bota ime prej së vërteti pandeh se është më e mira.

Kjo botë është e rrethuar me mure të pakuptimta.

Në këto mure mund ta thyesh kokën nëse provon të ndryshosh diçka.

Shumica thonë se janë të pakënaqur, por egërsohen po provove të bësh një ndryshim.

E duan botën statike, të përhershme, pa të ardhme, me të tashmen e përjetshme.

Është botë me shumë zhurmë, por ku kërkohet pak dhe vlen pak ai që do pak.

Një botë me pak ëndërrimtarë…

***

Në aeroport ka shumë mërgimtarë. Nisen drejt vendlindjeve të tyre. Të tjerë i përcjellin të dashurit. E vështirë është të jesh mërgimtar. Ata i dhanë shumë kombit të tyre. Pa mërgatën tonë, të djeshmen dhe të sotmen, nuk do të kishim shumëçka. Nga mërgata kemi pasur vetëm dobi, vetëm të mira. Ajo na ka dhënë shumëçka. Nuk e ka rënduar asnjëherë jetën tonë, por e ka bërë më të lehtë. Vendi i “tyre” i do vetëm kur sjellin para. I do kur ka nevojë, kur i duhet zjarri i lirisë, që mërgimtarët e kanë mbajtur të ndezur, që nga koha e Rilindjes e para saj. I do kur vijnë t’i votojnë përfaqësuesit “e tyre”, që nuk u duhen “atje”.

Ata janë të keqkuptuar “këtu” e “atje”, sepse mërgimtari ka shpirt misionar. Ai punon “atje”, duke menduar për “këtu”. Identiteti i tij konsiderohet si hibrid, sepse është i huaj “këtu” dhe “atje”. Ai konsiderohet si specifik në atdhe dhe në mjedisin e ri. Dimë vetëm se duhet të ndryshojë perceptimi për mërgatën. Duhet të tregohet ndaj mërgatës respekti që e meriton…

***

Po nisen fluturim avionë të shumtë. Bashkë me njerëzit fluturojnë miliona dëshira. Miliona shqetësime. Miliona brenga. Miliona shpresa. Është mbushur qielli me kësi ndjenjash e emocionesh. Po aq avionë aterrojnë. Zbresin njerëz që nuk do t’i shohësh asnjëherë. Në këtë mizëri njerëzish ndjehesh i vetmuar. Tmerrësisht i vetëm. Një pikë uji në oqean.

“O qytet kaq i madh dhe me kaq shumë njerëz, unë i panjohuri, anonimi, po më shkrepi mendja, ajo mendje e çartur, mund të të pushtoj, jo me forcë, po me artin tim!”

Sa e sa herë u ke folur kështu qyteteve të mëdha, sepse nuk e ke dashur anonimitetin. Me kalimin e kohës, je bindur se të duhet më shumë se gjithçka tjetër pikërisht kjo mosnjohje, ky anonimitet. Të duhet Jasnaja Polana e qetësisë.  Ç’të duhet njohja? Fundja çfarë i duhen botës marrëzitë e tua? A nuk tha bukur Rilke: “Lavdi o shumë keqkuptimesh!”. Në ju deshe ndonjëherë botës ajo të gjen…

***

Bardhi, një mik imi i nderuar, më shikon heshtazi dhe e ndjen se koka ime po bluan diçka. Po bluan dhe kjo është e keqja ime.

Përshëndetemi sepse është koha të nisem. Të kthehem në botën time, ku më presin demonët të më fshikullojnë si përherë. Demonët e krijimit që nuk dinë as të flenë. Demonët më të zi se nata. Demonët e botës time prej Ballkani, ku secili brez e ka të rezervuar një luftë. E megjithatë këtu, në këtë gadishull, duhet kërkuar të gjitha mrekullitë e mendjes njerëzore. Kjo botë, para mijëra vjetësh, krijonte më shumë fjalë për dashurinë: “filia”, “agape”, “eros”. Një botë që do t’i shkonin vargjet e perifrazuar të Kadaresë: “Botës i dhe emra perëndish, dritë ndan përreth e për vete mban pishë”…

***

Po kthehem në botën time pasi e kam shijuar një tjetër botë, e ndryshme nga bota jonë prej Ballkani.

Nuk di si e kam përshkruar këtë botë si prej ëndrre. Mbase kam folur për vendet më të bukura të saj. Mbase kam parë gjëra që në fakt nuk ekzistojnë. Mbase kam parë gjëra që vendësit nuk i shohin. Më kujtohet Andre Zhidi: “Duhet të pyesim të huajt që të mësojmë se cilat janë vendet më të bukura të qytetit tonë”. Do të shtoja: Duhet të pyesim përherë të huajt se çfarë kemi të veçantë në botën tonë, që ne banorët e përhershëm të atij vendi mbase nuk ja dimë vlerën e vërtetë. Për këtë shkak sa herë kam biseduar me miq të ndryshëm europianë i kam pyetur për gjërat që i pëlqejnë dhe i neveritin në vendlindjen time dhe shpesh kam marrë përgjigje të çuditshme, që ma kanë ndryshuar botëshikimin për vendin ku jetoj. Kam kuptuar se është i bukur për të jetuar.

Harrova diçka: që ta mësoj se cili ishte presidenti i Zvicrës. (Fund)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Mire se erdhe mik, ta them tash me vargjet tua:
    në këtë vend të harruar nga djalli nga zoti, ku gjithçka arrin me vonesë ose s’arrin fare, ku edhe vonesa arrin me vonesë ose nuk arrin fare.
    mire se erdhe ne vendin me…
    duartrokitje frenetike
    nga publiku i verbër
    i amfiteatrit të mbushur me natë…

    je kenaqur, edhe ne me raportimet tua nga vendi normal.
    Po, cdo gje e bukur kalon, prandaj dhe e bukur eshte!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button