LR – PDSH me letër të hapur për krizën politike në Maqedoni

Lëvizja Për Reforma në PDSH, u drejton letër të hapur: Zv/ndihmëses sekretares amerikane të shtetit për Evropë dhe Euroazi, Victoria Nulandit; Të dërguarit special nga Gjermania për ndërmjetësim për dalje nga kriza politike, Johanes Hajndëll; Ambasadorit të SHBA-së Xhes Bejli; Ambasadorit të BE-së Aivo ORAV.

Më poshtë mund ta lexoni letrën e plotë nga LR – PDSH:
Ne, Lëvizja për Reforma PDSH, me vëmendje të veçantë kemi ndjekur tentimet për ri-fillimin e negociatave për zgjidhjen e krizës politike në vend. Fatkeqësisht vërejmë që humbet kohë e çmueshme për të zbatuar reformat e nevojshme, derisa një kohë të gjatë opinioni është dëshmitar që tek pjesa më e madhe e partive politike pjesëmarrëse në negociata, mungon vullneti për gjetjen e zgjidhjes për daljen e vendit nga kriza.
Lëvizja për reforma PDSH konsideron se procesi zgjedhor me gjasë të madhe sërish do të manipulohet dhe nuk do të jetë kredibil nëse nuk ndodhin ndryshime esenciale në disa segmente të rëndësishme, ku nevojitet në mënyrë imediate të ndërhyrjet dhe të riformatohet “makineria ekzistuese që ka ekzekutuar falsifikimin zgjedhor të disa cikleve zgjedhore të kaluara”.

Konkretisht, problemi kryesor që rrënon legjitimitetin dhe besueshmërinë e procesit zgjedhor ka të bëjë me pastrimin e listës zgjedhore. Rikujtojmë që KSHZ miratoi me konsensus të plotë të 9 anëtarëve të saj, metodologjinë për gërshetimin e informacioneve të 13 institucioneve qendrore dhe lokale. Rikujtojmë që KSHZ më 20 Mars 2016, po ashtu me konsensus të plotë miraton raportin e grupit të ekspertëve të IT-së që realizoi gërshetimin e informacioneve, duke konstatuar që 330.588 janë votues të dyshimtë. Por assesi nuk mund të pranojmë që nga këto 330.588 votuesve të dyshimtë, që kanë adresë të rrejshme, që nuk kanë pronë dhe nuk paguajnë taksa dhe nuk janë të regjistruar në regjistrin qendror, por kanë vetëm dokumentacion identifikimi të falsifikuar nga ish-krerët e MPB-së që të lihen në harresë, ndërsa të bëhet problematike vetëm çështja e diasporës. Kërkojmë që të ktheni procesin atje ku e braktisët. Maqedonia ka më tepër se një çerek milioni votues të rrejshëm nëpërmjet të cilëve falsifikohet legjitimiteti i elektoratit, ndërsa çështja e diasporës nuk duhet aspak të ngritet si çështje, për shkak se ata kanë adresë banimi dhe posedojnë pronë, paguajnë rregullisht taksat dhe tatimet e tjera, kanë dokumentacion identifikimi, certifikatë lindjeje dhe shtetësie, ndërsa vetëm përkohësisht ndodhen me punë jashtë vendit. Kjo çështje është e ngritur artificialisht nga treshja destruktive VMRO-BDI-PDSH me qëllim, sabotimin e procesit duke zhvendosur vëmendjen tek diaspora dhe jo tek 330.588 votuesve të rrejshëm të cilat i detektoi grupi ndërkombëtar i ekspertëve të IT-së.

Pika tjetër, që është shumë e rëndësishme për të organizuar një proces zgjedhor fer, demokratik, kredibil dhe të pranueshëm për të gjitha palët është edhe ri-formatimi i Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), Komisioneve Komunale Zgjedhore (KKZ) dhe Komisioneve Vendore Zgjedhore (KVZ), për shkak se tek të njëjtat, ka të pranishëm militant partiak, që kanë zbatuar urdhra të shefave partiak dhe kanë realizuar falsifikimin zgjedhor, gjatë 5-6 cikleve të fundit zgjedhore. Është e papranueshme që përbërjet e njëjta të KSHZ, KKZ dhe KVZ të jenë edhe më tej të pjesëmarrës në procesin e ardhshëm zgjedhor.

Nëse së shpejti, nuk do të demonstrohet vullnet për zhvillimin e negociatave të mirëfillta për daljen e vendit nga kriza, atëherë LR-PDSH propozon formimin e Qeverisë së ekspertëve si rrugë e vetme për implementimin e reformave reale, shumë të nevojshme për organizimin e zgjedhjeve fer dhe demokratike në vend. Në të kundërt, do të pësojnë qytetarët, të cilët një kohë të gjatë mbahen peng të politikës dhe do të ballafaqohen me sanksionet e BE-së, të cilët për fat të keq të tyre duhet të ju drejtohen politikanëve të inkriminuar në krim, korrupsion etj. dhe jo qytetarëve të ndershëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button