Emigrantët kthehen në vendet e punës, radhë të gjata në doganë

Emigrantët shqiptarë po u drejtohen vendeve të tyre të punës, pas festimit të festave të fundvitit në Atdhe. Mëngjesi i së shtunës ka njohur një shtim të fluksit të lëvizjes së emigrantëve në pikat tona kufitare me Greqinë.

Kështu gjatë 24 orëve të fundit, vetëm në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës kanë hyrë rreth 3100 persona dhe kanë dalë rreth 4500 të tjerë. Po kështu, kanë hyrë 700 mjete, ndërsa në dalje janë regjistruar 1000 makina.

Burime nga kjo dogane bëjnë me dije se pala shqiptare punon më 8 sportele, tre prej tyre në hyrje dhe 5 në dalje, ndërsa pala greke punon me 5 sportele, 2 në hyrje dhe 3 në dalje.

Ndryshe nga dy ditët e kaluara, sot vihet re krijimi i radhëve të automjeteve në pritje për të kaluar kufirin.

Ndërkohë edhe pikat Kufitare të Qarkut të Kukësit, që e lidhin vendin me Kosovën, kanë shënuar një numër të lartë hyrje, për shkak të largimit të emigrantëve kosovarë në vendet ku jetojnë, pas mbarimit të festave të fundvitit.

Sipas burimeve zyrtare të policisë së Kufirit dhe Migracionit, bëhet e ditur se gjatë 24 orëve të fundit, në doganën e Morinës, në Kukës, kanë hyrë më shumë se 7 mijë shtetas ndërkohë që kanë dalë prej saj më shumë se 5 mijë të tjerë.

Të njëjtat burime thonë se edhe numri i automjeteve që kanë hyrë në Shqipëri nga Kosova, ka qenë i lartë./Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button