Top 10 filmat më fitimprurës

Padyshim që viti 2013 mund të konsiderohet si viti më i leverdishmi sa i përket industrisë filmike të Hollywood-it.

Brenda 12-të muajve që lamë pas janë arkëtuar miliona dollarë nga filma të zhanreve të ndryshëm që kanë bërë bujë të madhe si në Amerikë ashtu dhe në tregun ndërkombëtarë.

E ndër ata që kanë arritur të futen në këtë listë janë edhe disa filma të animuar që përpos që bartin vlera artistike dhe edukative, ata tashmë janë bërë emblemë e shtëpive të ndryshme filmike siç janë Pixar dhe Walt Disney.

1.2 miliard dollarë për “Iron Man 3”

Pas shumë anketimeve dhe vlerësimeve të bëra nga kritikët e filmit rezulton se filmi i zhanrit fantastiko-shkencor i regjisorit të famshëm Shane Black, “Iron Man 3”, me një ekip të shkëlqyer të aktorëve siç janë Robert Downey Jr, Gwyneth Paltrow, Don Cheadle, Guy Pearce dhe Rebecca Hall, ka arritur të triumfojë në garën e filmit me arkëtimet më të mëdha në box-office amerikan. “Iron Man 3” ka arritur të fitojë plot 1, 2 miliardë dollarë që njëherësh është filmi më i shtrenjtë i vitit 2013.

“Despicable Me 2”, i dyti për nga përfitimet

Vendi i dytë i takon filmit të animuar “Despicable Me 2”, regjinë e të cili e kanë bërë Pierre Coffin, Chris Renaud. Për realizimin e këtij filmi janë angazhuar një numër i madh i aktorëve të famshëm, zëri i të cilëve është huazuar për karaktere të ndryshme e ndër ta janë edhe Steve Carrell, Kristen Wiig dhe Benjamin Bratt, që i mundësuan këtij filmi të arkëtoi 918 milionë dollarë.

“Fast and Furious 6” vazhdon arkëtimin

Kurse filmi i zhanrit aksion “Fast and Furious 6”, pa dyshim që është duke vazhduar suksesin e pesë pjesëve të kaluara në të cilën aktorët Vin Diesel, Paul Walker (i ndjerë), Jordana Brewster, Dwayne Johnson, Michelle Rodriguez, kanë bërë një punë të shkëlqyer. Falë regjisorit Justin Lin, ky film ka arritur që brenda pak ditëve të bëjë bujë në kinematë e ndryshme botërore dhe të grumbullojë 788 milionë dollarë.

“Monsters University” me 743 milionë dollarë

Vendi i katërt i takoi edhe një filmi tjetër të animuar i titulluar “Monsters University”, që në premierën botërore detyroi prindërit në mbarë botën të dërgojnë fëmijët nëpër kinema të shikojnë të preferuarin e tyre. Dhe duket se puna e regjisorit Dan Scanlon u shpërblye në fund, pasi ky film ka fituar 743 milionë dollarë.

I pesti renditet “The Hunger Games: Catching Fire”

Filmi i zhanrit fantastiko-shkencor “The Hunger Games: Catching Fire”, i regjisorit Francis Lawrence u rendit në vendin e pestë. Në këtë film pa dyshim që ka luajtur një rol të rëndësishëm fituesja e çmimit Oskar, Jennifer Lawrence e cila së bashku me kolegët e saj Josh Hutcherson dhe Liam Hemsworth i ndihmuan këtij filmi të mbledhë 735 milionë dollarë.

662 milionë dollarë nga “Man of Steel”

Vendi i gjashtë ishte rezervuar për filmin “Man of Steel” i regjisorit të famshëm Zack Snyder, i cili me të vërtetë kishte bërë një punë të madhe duke bashkëpunuar me aktorët Henry Cavill, Amy Adams dhe Michael Shannon. Ky film po ashtu i zhanrit fantastiko-shkencor brenda këtij viti ka arritur të grumbullojë 662 milionë dollarë.

Të suksesshmit “Gravity”

Kur flitet për aktorët me famë botërore si George Clooney dhe Sandra Bullock, është e natyrshme të pritet që filmi të ketë sukses. Ata i ndihmuan regjisorit Alfonso Cuarón, që filmin “Gravity” ta fusin në listën e filmave më të shikuar të vitit, duke mbledhur 642 milionë dollarë dhe duke u pozicionuar në vendin e shtatë.

Pozitë e kënaqshme edhe për “Thor: The Dark World”

Një bashkëpunim fantastik i yjeve të Hollywoodi-it siç janë, Chris Hemsworth, Natalie Portman, Tom Hiddleston e vunë filmin e regjisorit Alan Taylor, “Thor: The Dark World”, në një pozitë mjaft të mirë sa i përket fitimeve duke arkëtuar plot 620 milionë dollarë.

587 milionë dollarë për “The Croods”

Ndërkaq i parapëlqyeri i fëmijëve “The Croods” i regjisorëve të famshëm Kirk De Micco, Chris Sanders, nuk e pati edhe aq problem të zë vendin e nëntë duke marrë parasysh ekipin e aktorëve në të cilin morën pjesë emra të mëdhenj si Nicolas Cage, Ryan Reynolds, Emma Stone. Ky film i animuar falë shitjeve të mëdha të biletave ka mbledhur 587 milionë dollarë.

“World War Z” përmbyll Top 10-ën

Top 10 e filmave më fitimprurës ka arritur të përmbyllë regjisori Marc Forster me filmin “World War Z”, në të cilin luajnë aktorët e famshëm Brad Pitt, Mireille Enos, Daniella Kertesz
dhe që falë paraqitjes së tyre të shkëlqyer kanë rrëmbyer plot 540 milionë dollarë.

Lajme të ngjashme

Back to top button