Erdogani reagon ndaj presidentit të Komisionit Europian: Ne kujdesemi për njerëzit, ndryshe jush

Presidenti turk ka shfrytëzuar një ceremoni diplomimi në një universitet të Stambollit për t’iu përgjigjur komenteve negative ndaj tij të presidentit të Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker.

Ky i fundit do të shprehej të mërkurën përmes një interviste në një të përditshme gjermane se Turqia duhej t’i përmbushte të gjitha kushtet për heqjen e vizave, e se nëse Erdoğan-i e prishte marrëveshjen do të ishte punë e tij t’u thoshte turqve pse nuk mund të udhëtonin pa viza në Europë, transmeton Tesheshi.com

“Ju nuk e njihni fare popullin turk,” do të deklaronte në ceremoninë universitare Erdoğan-i. “Këta njerëz nuk e kanë mendjen te udhëtimi pa viza. Jeni ju që shqetësoheni se ç’mund të ngjasë nëse Turqia i hap dyert dhe të gjithë refugjatët marrin rrugën drejt Europës.”

“Kur 60.000 njerëz u mblodhën në Edirne,” ka vazhduar kreu i shtetit turk, “ata i mbërtheu ankthi, dhe nisën të mendojnë se çfarë do të ndodhte po qe se ata njerëz kalonin në Bullgari apo Greqi.”

“Ndërkohë ne po mbajmë tre milionë refugjatë. Pse? Sepse kujdesemi për njerëzit, ndryshe jush. Ju nuk keni shqetësime të tilla. E gjitha kjo marrëveshje ripranimi, dhe çdo gjë tjetër, tregon se sa të pabesueshëm jeni. Ju nuk po e mbani premtimin tuaj!”

“Kjo është fytyra juaj e shëmtuar. Ju marroseni kur Erdoğan-i e tregon fytyrën tuaj të shëmtuar. E kjo është arsyeja pse po përpiqeni ta hiqni qafe Erdoğan-in.”

Ai e akuzoi BE-në se nuk e pranon Turqinë si anëtare ngaqë është një vend me shumicë muslimane. “Një ish-ministër i Jashtëm i Francës ma pati thënë këtë një herë fare qartë: ‘Nuk kanë për t’ju pranuar në BE. Po përpiqeni kot.’”

“Pse?”, ka rrëfyer Erdoğan-i ta ketë pyetur diplomatin francez, duke marrë si përgjigje fjalët, “Sepse jeni muslimanë!”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button