Ndikimi turk në RMV, histori e gjatë dhe marrëdhënie komplekse

Maqedonia e Veriut ka një bashkëpunim të veçantë me Turqinë në fusha të ndryshme, por a po mundohet shteti turk që të rris dominimin dhe ndikimin në RMV përmes këtij bashkëpunimi? Përderisa Turqia vlerësohet si partner strategjik i Maqedonisë së Veriut, në syrin e analistëve raporti bilateral mes dy vendeve mbetet mjaft kompleks dhe problematik, shkruan Portalb.mk.

RMV-Turqi me raport të thellë ekonomik dhe deficit të madh për ekonominë e vendit tonë

Vendi jonë ka raport shumë të zhvilluar ekonomik me Turqinë, investimet turke shtrihen në të gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV). Sipas entit të statistikave Turqia është në top 10 shtetet me të cilat vendi jonë ka volum të lartë tregtar. Për sa i përket këmbimit tregtar me vendin tonë Turqia radhitet në vend të shtatë, duke i pasuar: Gjermanisë, Britanisë, Greqisë, Serbisë, Bullgarisë dhe Kinës. Kur jemi te raporti tregtar, RMV nga Truqia më së shumti importon: makineri dhe pjesë makinerish, plastikë, pambuk, automjet, pajisjet elektrike dhe elektronike etj. Ndërsa eksporton kryesisht hekur dhe çelik, gurë, suva, çimento, etj.

Raporti tregtarë RMV-Turqi ndër vite

“Tregtia totale dypalëshe në nëntor 2022 arriti në 945 milionë dollarë amerikanë dhe një rritje prej 35.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021. Potenciali dhe interesi i kompanive nga Turqia për të investuar në vendin tonë përkufizohet si një nga vendet e synuara nga i cili presim investime në këto sektorë strategjikë: industria farmaceutike, energjia dhe burimet e rinovueshme të energjisë, turizmi, ndërtimi dhe infrastrukturë.
Më shumë se 10 kompani nga Turqia janë në fazën e investimit në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, thanë për Portalb.mk nga Departamenti i Bashkëpunimit Tregtar Ndërkombëtar në Ministrinë e Ekonomisë.

Shifra të ndryshme nga institucione të ndryshme për shumën totale të investimeve turke

Kompanitë turke në Maqedoninë e Veriut operojnë në shumë sektorë të rëndësishëm ekonomikë, si: banka, ndërtimtari, shëndetësi, kulturë, menaxhimi i aeroportit, arsim, tekstili dhe veshjet e gatshme, sigurimet, menaxhim i hoteleve dhe turizm. Sipas të dhënave nga Ministria e Ekonomisë investimet turke në vendin tonë arrijnë 557 milionë dollarë amerikanë, me tendencë në rritje për çdo vit. Vetëm në vitin 2021 investimet turke kapën vlerën e 66.65 milionë dollarëve amerikanë dhe 57.4 milionë dollarë amerikanë në 9 muajt e vitit 2022. Megjithatë, në faqen zyrtare të Punëve të Jashtë të Republikës së Turqisë thuhet se shuma totale e investimeve turke në RMV është 1.3 miliardë dollarë.

Sipas vlerësimeve të fundit të bëra nga Oda Ekonomike Maqedoni-Turqi (MATTO) investimet turke në vendin tonë tejkalojnë 2 miliardë dollarë.

“Investimet turke në Republikën e Maqedonisë së Veriut arrijnë në mbi 2 miliardë dollarë dhe përfaqësojnë 35% të totalit të investimeve të huaja në vend dhe synimi ynë është të kontribuojmë në dyfishimin e këtyre shifrave në periudhën e ardhshme. Duke pasur parasysh se marrëdhëniet politike ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Turqisë janë të mira, ne dëshirojmë të arrijmë të njëjtin rezultat në aspektin e treguesve ekonomikë. Aktualisht kemi mbi 1 miliard dollarë në tregti”, thanë për Portalb.mk nga MATTO.

Nga MATTO propozojnë që edhe në RMV të përdoret modeli i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë ndërmjet Serbisë dhe Turqisë, apo modeli i Turqisë – Bosnje-Hercegovinës, me qëllim të rritjes së bashkëpunimit ekonomik.

A po tenton Turqia të shtrijë ndikimin e saj përmes fuqisë së butë në RMV?

Përveç bashkëpunimit ekonomik, viteve të fundit Turqia ka bërë investime dhe donacione të shumta sidomos në arsim, shëndetësi dhe me theks të veçantë në kulturë. Duke pasur parasysh të kaluarën historike mes Turqisë dhe RMV-së, madje dhe Ballkanit në tërësi, në opinion publik në vendin tonë ka zëra se shteti turk po tenton të ri-kthej ndikimin e vjetër shekullor në Ballkan. Duke folur rreth kësaj teme, gazetari dhe analisti Xhelal Neziri thotë se “çështja është nëse ndikimi i Turqisë në rajon dhe vend është i dëmshëm apo i dobishëm”.

“Ky shtet në të gjitha anketat shfaqet ndër vendet më miqësore ndaj Maqedonisë së Veriut, duke bashkuar kështu maqedonasit dhe shqiptarët etnik, për dallim nga shtetet tjera ku shfaqen qëndrime krejt të kundërta. Ka mendime të ndryshme për këtë, sidomos ndër shqiptarët etnik në rajon, pjesa më e madhe e të cilëve është e besimit mysliman. Ndërtimet e xhamive të reja dhe restaurimet e atyre të vjetra shpesh kanë ngjallur dilema dhe debate nëse me këtë Turqia tenton të arrijë një ndikim të madh me një kosto të lirë”, deklaroi Xhelal Neziri.

Sipas Ministrisë së Kulturës raporti bilateral mes dy vendeve në këtë fushë në përgjithësi karakterizohet nga një frymë e miqësisë tradicionale, mirëkuptim reciprok, tolerancë dhe bashkëpunim aktiv në të gjitha sferat me interes të ndërsjellë. Marrëdhëniet kulturore ndërmjet dy vendeve janë të rregulluara me dokumente ndërshtetërore që nga viti 1995.

“Një tjetër dokument i rëndësishëm dypalësh që rregullon bashkëpunimin në kulturë është Marrëveshja ndërmjet Qeverisë së RMV-së dhe Qeverisë së Turqisë për themelimin dhe veprimtarinë e Qendrave kulturore, e cila është fryt i numri i madh i projekteve që u realizuan në të dy vendet. Në bazë të kësaj Marrëveshjeje, RMV ka marrë hapësirë ​​në objektin “Seyran”, i cili ka statusin e trashëgimisë kulturore dhe ndodhet në sheshin Taksim. Turqia e ka marrë në përdorim të përkohshëm pasurinë kulturore “Kurshumli an” në Shkup për 10 vjet, gjegjësisht me Vendim nga viti 2016 deri në vitin 2026. Me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës së Maqedonisë së Veriut, vitin e kaluar u mbajtën disa ngjarje kulturore përmes të cilave u promovua kultura maqedonase në Turqi”, theksuan mes tjerash nga Ministria e Kulturës.

Nga Ministria e Kulturës bënë të ditur për Portalb.mk se Qeveria ka disa projekte që do të avancojnë aktivitetet e komunitetit turk në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Një prej tyre është projekti për ndërtimin e një teatri të ri turk, me shfaqjen e të cilit komuniteti turk do të marrë një godinë teatri sipas të gjitha standardeve botërore. Nga ky institucion më tej radhisin një numër të konsiderueshëm projektesh renovimi dhe konservimi të objekteve kulturore, kryesisht xhami dhe hamame, të mbështetura nga TIKA.

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA) ka luajtur një rol të rëndësishëm në shtrirjen e “dorës mike” të Turqisë ndaj popullit të RMV-së duke realizuar rreth 500 projekte në fusha të ndryshme, gjatë 6 viteve të fundit. TIKA ka rinovuar dhe pajisur dhjetëra shkolla publike, fillore dhe të mesme, në RMV. Shëndetësia, bujqësia, blegtoria dhe zhvillimi rural, forcimi i infrastrukturës administrative dhe civile si dhe zhvillimi i kapaciteteve institucionale deri te bashkëpunimi social dhe kulturor dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore janë fushat kryesore ku janë të fokusuara projektet e TIKA-s, edhe pse projektet shtrihen në të gjithë gjeografinë e vendit implementim më të koncentruar ka në rajonet të cilat banohen në minoriteti turk në RMV. Bazuar në Censusin e vitit 2021 në RMV ,3.86 % e popullsisë është deklaruar se janë turq.

Erdogan është politikani i preferuar i popullit të Maqedonisë së Veriut

Megjithatë, ajo që TIKA e quan “shtrirje e dorës mike”, nga skeptikët vlerësohet si një mënyrë për të rritur ndikimin turk në RMV. Donacionet, investimet, ofrimi i mundësive pa pagesë për të mësuar një gjuhë të huaj ose për të udhëtuar dhe për ta prekur kulturën e një vendi mundet të jenë mënyra për ushtrimin e fuqisë së butë të një shteti ndaj një shteti tjetër. Koncepti i fuqisë së butë është pjesë e teorisë politike e cila analizon aftësinë e një shteti për të bindur të tjerët të bëjnë atë që dëshiron pa përdorimin e forcës ose detyrimit. Ndikimi i fuqisë së butë zakonisht vjen përmes kulturës, vlerave politike dhe politikës ndërkombëtare të një vendi si faktorë që përcaktojnë atraktivitetin e tij në botë dhe aftësinë e tij për të formësuar politikën ndërkombëtare pa përdorimin e forcës.

Sipas gazetarit dhe analistit Xhelal Neziri, kur bëhet fjalë për ndikimin kulturor një rol të veçantë luan edhe afërsia religjioze e popullatës së besimit mysliman. Islami është feja e dytë më e madhe në RMV, pas asaj Ortodokse. 32.17 % e popullsisë në vendin tonë janë mysliman.

“Në kuadër të ndikimit kulturor, përveç mediave dhe produksionit filmik, një rol të veçantë luan edhe afërsia religjioze e popullatës së besimit mysliman. Nga pjesa më e madhe e popullsisë së Ballkanit, Turqia vazhdon të shihet si një vend lider i myslimanëve në botë. Duke marrë parasysh fuqinë ndikuese të religjionit në vend dhe rajon, një afërsi e këtillë gjithsesi se i mundëson Turqisë të ketë një ndikim edhe më të madh sesa ai që pritet, e që është duhej të ishte përpjesëtim të drejtë me investimet në ekonomi, para se gjithash. Nëse nëpërmjet investimeve të drejtpërdrejta ekonomike fitohet mendja, nëpërmjet investimeve në religjion fitohet zemra e qytetarëve”, deklaroi analisti Xhelal Neziri.

Rritjen e shtrirjes së ndikimit turk në RMV e dëshmuan edhe të dhënat e paraqitura në publikimin e fundit të Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI). Të dhënat nga nga anketimit i qytetarëve të RMV-së tregojnë se pas Gjermanisë, Turqia është shteti i dytë më i dashur për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, ndërsa presidenti turk Rxhep Taip Erdogan kryeson listën e politikanëve më të dashur për popullin e RMV-së

Është ironike që populli i një shteti që aspiron integrimin në familjen evropiane parapëlqen liderë me ideologji autoritare.

Përse presidenti i Turqisë vlerësohet si lider autoritar?

Nga fillimet modeste, Rexhep Tajip Erdogan është rritur në një gjigant politik, duke udhëhequr Turqinë për 20 vjet dhe duke riformuar vendin e tij më shumë se çdo lider që nga Mustafa Kemal Ataturku, babai i respektuar i republikës moderne. I ardhur nga një sfond politik islamik dhe i vetë-përshkruar si një demokrat konservator, ai ka promovuar politika socialisht konservatore dhe populiste gjatë administratës së tij. Nga viti 2003, ai kaloi tre mandate si kryeministër, duke kryesuar një periudhë të rritjes ekonomike të qëndrueshme dhe duke fituar vlerësime ndërkombëtare si reformator. Shtresa e mesme e vendit u zgjerua dhe miliona u nxorën nga varfëria, pasi zoti Erdogan u dha përparësi projekteve gjigante të infrastrukturës për të modernizuar Turqinë. Por kritikët paralajmëruan se ai po bëhej gjithnjë e më autokratik.

Erdogan mbikëqyri konvertimin e Hagia Sophia historike të Stambollit në një xhami. Hagia Sofia u ndërtua 1500 vjet më parë si një katedrale, dhe u bë xhami nga turqit osmanë, por Ataturku e kishte kthyer atë në një muze – një simbol i shtetit të ri laik. Nga viti 2013 filluan protestat e para ku populli turk filloi të shpreh pakënaqësinë ndaj liderit të tyre Erdogan, lidershipi i të cilit po bëhej gjithmonë edhe më autoritar. I ndaluar të kandidojë sërish për kryeministër, në vitin 2014 ai qëndroi për rolin kryesisht ceremonial të presidentit në zgjedhje të drejtpërdrejta të paprecedentë. Duke u shprehur se mbështet fuqishëm vlerat fetare islame ka dënuar feministët dhe ka thënë se burrat dhe gratë nuk mund të trajtohen në mënyrë të barabartë. Edhe pse dhuna ndaj grave është një problem i përhapur në Turqi me vendim të Presidentit Erdogan vendi është tërhequr nga e ashtuquajtura Konventa e Stambollit, e cila supozohet të mbrojë gratë nga dhuna Këshilli i Evropës tha se ky është një “lajm shkatërrues” dhe një “hap i madh prapa” në përpjekjet për të mbrojtur gratë.

Në fillim të presidencës së tij, Erdogan u përball me dy goditje në pushtetin e tij. Partia e tij humbi shumicën e saj në parlament për disa muaj në një votim të vitit 2015, ndërsa në vitin 2016 Turqia dëshmoi tentativën e parë të dhunshme të grushtit të shtetit për dekada. Për puçin e vitit 2016 u fajësua Fejtullah Gulen, dijetar islamik me bazë në SHBA i cili përmes lëvizjes sociale dhe kulturore e kishte ndihmuar më herët Erdoganin të fitonte në tre zgjedhje radhazi. Grushti i shtetit çoi në shkarkimin e rreth 150,000 nëpunësve publikë dhe arrestimin e më shumë se 50,000 njerëzve, duke përfshirë ushtarë, gazetarë, avokatë, oficerë policie, akademikë dhe politikanë kurdë. Kjo goditje ndaj kritikëve shkaktoi alarm jashtë vendit, duke kontribuar në marrëdhëniet e ftohta me BE: përpjekja e Turqisë për t’u bashkuar me bashkimin nuk ka përparuar për vite me radhë. Por nga pallati ekstra luksoz “Ak Saray” me 1000 dhoma me pamje nga Ankaraja, pozicioni i Presidentit Erdogan dukej më i sigurt se kurrë. Në vitin 2017 Erdogan organizoi një referendum dhe fitoi, duke siguruar kompetenca gjithëpërfshirëse presidenciale, përfshirë këtu të drejtën për të vendosur një gjendje të jashtëzakonshme dhe për të emëruar zyrtarë të lartë publikë, si dhe për të ndërhyrë në sistemin ligjor. Një vit më vonë, ai siguroi fitoren e plotë në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale. Vota e tij kryesore qëndron në qytetet e vogla të Anadollit dhe zonat rurale, konservatore.

Po gjatë vitit 2016 në Maqedoninë e Veriut u rrit dhe presioni i diplomacisë turke për çështje të brendshme shtetërore ndërkohë që qindra qytetarë dolën në protestë në mbështetje të Erdogan. Ambasada e Turqisë në Shkup bëri presion që shteti ti marr ndihmën financiare gazetës “Zaman Maqedoni”. Turqia kërkoi nga RMV që të ndërmarrë masa kundër personave të lidhur me organizatën “Feto”, të cilin pushteti në Turqi e kanë shpallur si organizatë terroriste. Nga ana tjetër ish-kryeministri i RMV-së, Zoran Zaev tha se ekstradimi i pjesëtarëve të “Fetos” do të ndodh, nëse dëshmohen se janë terroristë. Gjatë asaj periudhe ambasadorja e Turqisë në RMV, Tulin Erkal Kara, me ton të ashpër apeloi që fëmijët të regjistrohen në Fondacionin “Maarif” nëse nuk dëshirojnë që në të ardhmen të jenë terroristë. Ndaj kësaj patën reaguar nga “Jahja Kemal” duke thënë se nëse ambasadorja ka dëshmi. Nga Qeveria e RMV-së dhe Ministria e Punëve të Jashtme nuk u ndërmorr asnjë hap për sanskionim të gjuhës së urrejtes së ambasadores, por “është shprehur pakënaqësi ndaj të njëjtës”. Në vitin 2018 u përfol se presidenti i Turqisë, Taip Erdogan i ka kërkuar kryeministrit të Maqedonisë Zoran Zaev, që Turqia të hapë bazë ushtarake, si kundër shërbim për mbështetjen dhe ndihmën që do t’ia jepte Maqedonisë.

Raporti RMV-Turqi mundet të përkufizohet si i veçantë e kompleks

Edhe pse Turqia ka pranuar më shumë se tre milionë refugjatë që ikën nga lufta civile siriane, nga ana tjetër Ankaraja ka nisur operacione kundër milicive kurde përgjat kufijve, duke i larguar kurdët nga Turqia. Erdogan ka mbajtur prej kohësh lidhje të ngushta me Vladimir Putinin e Rusisë dhe ka kërkuar një rol kyç si ndërmjetës në konfliktin në Ukrainë. Ai ndihmoi në ndërmjetësimin e një marrëveshjeje për hapjen e një korridori të sigurt për eksportet e grurit përmes Detit të Zi dhe parandaloi kolapsin e tij kur Rusia lëvizi për t’i dhënë fund mbështetjes së saj për marrëveshjen.

Sidoqoftë, analisti Xhelal Neziri vlerëson se raporti mes shtetit turk dhe RMV-së mbetet kompleks.

“Edhe pse mund të përkufizohet si një partner mjaft kompleks dhe problematik, që po shënon një rënie në kualitetin e demokracisë në vitet e fundit, megjithatë mendoj se Turqia nuk ka luajtur rol negativ në asnjë vend të Ballkanit. Si vend anëtar i NATO-s dhe kandidat për anëtarësim në BE, ky vend ka mbështetur objektivat strategjike të Maqedonisë së Veriut për integrim në strukturat euroatlantike. Roli i Ankarasë në pjesën më të madhe ka qenë konstruktiv në drejtim të zgjidhjes së çështjeve të hapura në rajon. Andaj mendoj se ndikimi turk në vend dhe Ballkan nuk duhet parë si malinj, por si një prani normale e një vendi që sot paraqet një fuqi reale ekonomike dhe politike”, u shpreh Xhelal Neziri.

Përveç se ka mbështetur rrugën euro-atlanike të vendit Turqia është shteti i parë që njohu Maqedoninë e Veriut me emrin e saj kushtetues. Turqia është gjithashtu shteti i parë që emëroi një ambasador në Shkup.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button