Thaçi takon përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Mogherini

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë qëndrimit të tij në Bruksel, u prit nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njoftojnë nga kabineti presidencial, Presidenti Thaçi e informoi Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Mogherini, për të arriturat e Kosovës dhe për përkushtimin për paqe dhe stabilitet në rajon. Duke folur për procesin e vizave, Presidenti Thaçi u shpreh se Kosova tani pret një vendim meritor.

Presidenti Thaçi foli edhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe theksoi se ky proces ka ndikuar pozitivisht në ndërtimin e paqes dhe stabilitetit në tërë Ballkanin Perëndimor.

Përfaqësuesja e Lartë Mogherini u shpreh se Kosova duhet të jetë optimiste për vendimin për liberalizimin e vizave dhe kërkoi që sa më parë të përmbushet edhe kriteri i fundit, ai i miratimit të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Ajo gjithashtu ka thënë se dialogu duhet të vazhdojë dhe se të gjitha vendet e rajonit duhet të mbeten të përkushtuara për ndërtimin e bashkëpunimit të sinqertë me njëri-tjetrin.

Ndërkaq,Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është pritur sot edhe nga Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz. Presidenti Thaçi e njoftoi presidentin e Parlamentit Evropian, Martin Schulz, për zhvillimet e fundit në Kosovë, me theks të veçantë në përkushtimin e Kosovës në rrugën drejt jetësimit të liberalizimit të vizave.

“Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave dhe pret një vendim meritor nga Bashkimi Evropian për punën e bërë nga institucionet e vendit”, ka thënë presidenti Thaçi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button