Bie përkrahja e projektit “Shkupi 2014”

Projekti “Shkupi 2014” sot në krahasim me muajin mars të këtij viti, gjen përkrahjen e një numri dukshëm më të vogël të qytetarëve.

Në pyetjen se “A e përkrahni në përgjithësi projektin Shkupi 2014?”, vetëm 39,7 për qind kanë thënë se po, kurse 58,1 për qind kanë thënë jo, në analizën që e ka realizuar “Rejting”, e cila agjenci ka bërë një anketë nëpërmjet telefonit në komunën Qendër, nga 20 deri më 23 dhjetor të këtij viti, duke i pyetur 850 qytetarë të moshës madhore në këtë komunë.

 
Ky rezultat tregon rënien e përkrahjes së projektit për 8 për qind, në krahasim me muajin mars të këtij viti, kur për të njëjtën pyetje 47,9 për qind janë shprehur si përkrahës dhe 51,5 për qind kundër projektit.

Revizioni i projektit “Shkupi 2014” që u bë nga ana e kryetarit Andrej Zhernovski, u përkrah nga 60,6 për qind të anketuarve. Këtë revizion e përkrahin edhe 90 për qind e trupit votues të LSDM-së por edhe 19 për qind e anëtarëve të VMRO-së.

44,7 për qind vlerësojnë se në procesin për marrjen e përmendoreve të këtij projekti ka pasur keqpërdorime, 15,7 për qind vlerësojnë se gjith¬çka është e ligjshme, ndërsa 39,5 për qind ende nuk kanë bërë vlerësim.

Dy të tretat e qytetarëve të Qendrës kanë përkrahur kryetarin Zhernovski në qëllimin e tij që të ndaloj vendosjen e fasadës baroke në Qendrën Tregtare si dhe në disa objekte tjera në sheshin e Shkupit.

Lajme të ngjashme

Back to top button