Anketë: Shqiptarët e RMV-së mbështesin Ukrainën dhe kanë perceptim negativ për Rusinë

Mbështetje shumë e fortë për Ukrainën dhe perceptim negativ të Rusisë, pikëpamje realiste për anëtarësimin në BE, mbështetje e fortë për ndryshimet kushtetuese dhe statusi bashkë-zyrtar i gjuhës shqipe. Këto janë disa nga përfundimet e sondazhit të Institutit për Politika Publike “Arbën Xhaferi” i realizuar përmes intervistave telefonike me një mijë shqiptarë të moshës mbi 18 vjeçare në nivel shtetëror në Maqedoninë e Veriut nga 15 deri me 21 mars, transmeton Portalb.mk.

Siç informojnë nga kjo organizatë, ky sondazh shikon në mënyrë specifike perceptimet e të anketuarve për luftën në Ukrainë dhe implikimet e saj mbi aleancat strategjike të Maqedonisë së Veriut, kapacitetin e qeverisë për të arritur progres në anëtarësimin në BE, si dhe mbështetjen për ndryshimet kushtetuese dhe statusin kushtetues të gjuhës shqipe.

Kur pyeten se kush është fajtori për luftën Rusi-Ukrainë, dy të tretat e të anketuarve (64%) identifikojnë Rusinë. Vetëm 2.7% e fajësojnë Ukrainën.

Infografik: Instituti për Politika Publike “Arbën Xhaferi”

Të anketuarit dëshmojnë mbështetje të qartë për Ukrainën (67.8%), me vetëm 4% që mbështesin Rusinë.

Infografik: Instituti për Politika Publike “Arbën Xhaferi”

Kur bëhet fjalë për aleatët strategjikë të Maqedonisë së Veriut, 37% përmendin BE-në, ndërsa SHBA-në 36.4%. Ndërsa të dyja së bashku u përmendën nga 10% e të anketuarve. Turqia renditet e treta, e përmendur nga 7.2 % e të anketuarve. Rusia dhe Kina nuk janë të popullarizuara në mesin e të anketuarve, me vetëm 0.2%.

Infografik: Instituti për Politika Publike “Arbën Xhaferi”

Sondazhi konstatoi gjithashtu pikëpamje realiste për anëtarësimin në BE, me një shumicë relative e të anketuarve (43.3%) që beson se vendi nuk ka kapacitet për t’iu bashkuar BE-së në 10 vitet e ardhshme. Pak më shumë se një e treta e të anketuarve (38%) besojnë se Maqedonia e Veriut mund të anëtarësohet në BE në 10 vitet e ardhshme.

Infografik: Instituti për Politika Publike “Arbën Xhaferi”

Shumica e të anketuarve (55.3%) përkrahin amendamentet kushtetuese si kusht për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE, me vetëm 29.8% prej tyre që besojnë se Maqedonia e Veriut nuk duhet të ndryshojë Kushtetutën e saj.

Infografik: Instituti për Politika Publike “Arbën Xhaferi”

Sa i përket gjuhëve zyrtare të Maqedonisë së Veriut, shumica dërmuese e të anketuarve (89.1%) besojnë se ndryshimet kushtetuese duhet të çojnë në një status të avancuar për gjuhën shqipe, e cila duhet të përkufizohet si gjuhë bashkëzyrtare, në të njëjtin nivel me maqedonishten. Vetëm 6.4% e të anketuarve besojnë se duhet të ruhet përkufizimi aktual, sipas të cilit gjuha shqipe definohet si gjuhë zyrtare e folur nga së paku 20% e popullsisë.

Infografik: Instituti për Politika Publike “Arbën Xhaferi”

Hulumtimi u realizua nga Instituti për Politika Publike “Arbën Xhaferi”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button