Protestat do të bllokojnë rrethrrotullimin e parë në hyrje të Tetovës

Këshilli protestues STOP ndotjes kancerogjene në Tetovë do të bllokojë rrethrrotullimin e parë në hyrje të Tetovës, ku do të zhvillohen protestat kundër ndotjes së ajrit.

Besojmë se më 26 janar, në ora 11:55, të dalim të gjithë për të shprehur revoltën tonë në mënyrë paqësore për shkak të mospërmbushjes së katër kërkesave tona tani më të njohura:

1. Qeveria/ministria të prononcohet me statusin e përmbushjes së kushteve të Planit operativ të Jugohromit dhe gjithashtu të urdhërojë pronarëve të Jugohromit urgjentisht të ndaloj punën deri në vënien e filtrave sipas dokumentit të paraparë. Me këtë rast dëshirojmë t’ia bëjmë me dije opinionit publik, punëtorëve të Jugohromit dhe familjarëve të tyre se Këshilli protestues nuk i ndërmerr këto aktivitete për mbylljen e fabrikës, por për vënien e filtrave me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të të gjithë qytetarëve. 

2. Urgjentisht të zgjidhet çështja e deponive të egra në rajonin e Pollogu

3. Për arsye se amvisëritë po ashtu njihen si ndotës të ambientit kërkojmë nga Qeveria të subvencionojë me 33 % faturat e rrymës gjatë sezonit të ngrohjes, me qëllim të zvogëlimit të përdorimit të lëndëve djegëse, si drunjve dhe qymyrit.

4. Inspektoratet qeveritare dhe komunale të mbrojtjes së mjedisit të ndëshkojnë konform ligjeve në fuqi të gjithë ato persona që ilegalisht ndezin goma dhe materiale tjera në komunën e Tetovës, Tearcës, Zhelinës, Jegunocit, Bogovnjës dhe Bërvenicës

Në njoftimin e këtij këshilli ata demantojmë të gjitha spekulimet për gjoja prapavijën politike të protestave që organizojmë.

“Ne jemi të qartë në qëllimin tonë dhe me bindjen e plotë themi se qëllimi jonë është tepër human dhe pas kësaj iniciative qëndrojnë qytetarë të shqetësuar për pasojat që sjell kjo ndotje kancerogjene në Tetovë. Ne jemi të vetëdijshëm se do ta kemi të rëndë të zgjojmë vetëdijen qytetare për gjenocidin që shkaktohet mbi natyrën, mbi tokën pjellore dhe para se gjithash mbi banorët e Pollogut. Por njëkohësisht ne nuk do të heqim dorë nga qëllimi jonë për një ambient më të pastër, për shoqëri më të shëndoshë dhe për zvogëlimin e përqindjes së të sëmurëve nga kanceri dhe sëmundjeve tjera të organeve të frymëmarrjes. Kërkojmë përkrahje nga të gjithë në realizimin e këtij qëllimi mjaft fisnik dhe njerëzor”, thuhet në këtë njoftim.

  

Lajme të ngjashme

Back to top button