SHGM-ja, dorëzon në Ministri regjistrin prej 512 anëtarësh

Shoqata e gazetarëve dorëzoi regjistrin prej 512 anëtarësh pranë Ministrisë për Shoqëri Informatike, njoftoi kryetari i SHGM-së Naser Selmani.

Ministri Ivo Ivanovski pati kërkuar që shoqatat e gazetarëve deri më 10 shkurt të dorëzojnë regjistrat e tyre të anëtarëve, me qëllim që organizata me e madhe e gazetarëve të përfaqësohet në Këshillin e Agjencisë për shërbime audio dhe audiovizuele si dhe në Këshillin programor të RTVM-së.

Selmani tha se në Ministri janë dorëzuar vetëm numrat e regjistrit të anëtarëve pa të dhënat personale të tyre pasi, siç shpjegoi: “Këtë hap e morëm sepse një pjesë e anëtarëve nuk duan të zbulojnë para organeve të shtetit se janë anëtarë të Shoqatës sepse druajnë nga pasojat eventuale”.

“Për ne procedura e numërimit të anëtarëve  është e pakuptimtë dhe me shumë pa qartësi. I pakuptimtë pasi nuk është puna e shtetit të numërojë gazetarët. Nëse deshën të dinë numrin e anëtarëve të SHGM-së, këtë numër kanë mundur ta marrin në çdo kohë. E paqartë është sepse ne nuk dimë  se ministria numëron anëtarë të shoqatave të gazetarëve që janë gazetarë, ose i numërojmë të gjithë të punësuarit në media, që është krejtësisht diçka tjetër”, deklaroi Naser Selmani, kryetar i SHGM-së.

“Ne anëtarësojmë vetëm gazetarëve, ndërsa dikush tjetër anëtarëson edhe të punësuarit në media prej rojës deri te drejtori, kështu në fund do të del se numërojmë gjëra të ndryshme”, shtoi Selmani.  

Sipas SHGM-së kjo pjesë e ligjit është në kundërshtim me Kushtetutën dhe shkel të drejtën e gazetarëve për t’u bashkuar. Kjo dispozitë e ligjit mund të keqpërdoret për të favorizuar njërën prej shoqatave. Prandaj i bënë thirrje Ministrit për shoqëri informatike dhe administratë të propozojë ndryshime të ligjit, pasi në të kundërtën këto dispozita do t’i ankimojë në Gjykatën Kushtetuese.

Nga SHGM, thanë se anëtarë të SHMG-së kohë më parë janë ankuar se ndaj tyre, ushtrohet presion që të anëtarësohen në shoqatën tjetër të gazetarëve. Respektivisht se kryetarë komunash, deputetë, ministra kanë kërcënuar pronarët e mediave se do t’i humbin reklamat qeveritare, nëse gazetarët e tyre nuk anëtarësohen në shoqatën tjetër për gazetarë. Megjithatë, nga SHGM thanë se do të kërkojnë proces transparent me qëllim që shoqatat e tjera të mos manipulojnë me numrin e gazetarëve duke anëtarësuar në radhët e tyre dhe punonjës të tjerë.  
 

Lajme të ngjashme

Back to top button