Ivanov po mbyll mandatin duke injoruar gjuhën shqipe

Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov për katër vite të mandatit të tij si president nuk ka aplikuar gjuhën shqipe.

Ai tashmë po numëron muajt e fundit në presidencë, pasi që në marsin e 2014 do të mbahen zgjedhjet e rregullta presidenciale.

Ivanov edhe pse si president i zgjedhur nga të gjithë qytetarët e vendit, përfshirë edhe vota nga shqiptarët, për katër vite nuk ka aplikuar dhe përdorur gjuhën shqipe në faqen zyrtare të presidencës www.pretsedatel.mk , si dhe në komunikimin me mediat shqiptare.

Nga kabineti i presidencës gati se dy vite është larguar një nga zëdhënësit shqiptarë, vendi i të cilit asnjëherë nuk u zëvendësua me kuadër tjetër. Kabineti i presidentit Ivanov disa herë i është shmangur përgjigjes se përse nuk po përdoret gjuha shqipe në portalin zyrtar informativ të presidencës.

Ivanov kandidat i nominuar nga VMRO-DPMNE pritet të rikandidojë për një mandat të dytë, në rast se merrë besimin e partisë së tij. Ai së fundi ka qenë në shënjestër të kritikave edhe lidhur me mungesën e përfaqësimit të shqiptarëve në presidencë, ku ka një përqindje simbolike. Për katër vite me radhë mediat shqiptare në Shkup kanë shkruar për këtë çështje të përdorimit të gjuhës shqipe dhe përfaqësimit të shqiptarëve, por asnjëherë nuk është përmirësuar gjendja e tillë diskriminuese./INA

Lajme të ngjashme

Back to top button