Rama: Berisha hapi depot e armëve

Ngjarja tragjike në Durrës ka risjellë debatin midis mazhorancës dhe opozitës dje në parlament.

Deputetët e opozitës akuzuan strukturat e shtetit që nuk parandaluan ngjarjen, ndërsa përfaqësuesit e qeverisë u shprehën se shumë shpejt në Kuvend do të paraqiten edhe dy nisma të reja lidhur me mbajtjen e armëve, me synim reduktimin e tyre në duart e qytetarëve. Reagimi i Ramës Në fjalën e tij të mbajtur në Kuvend, Kryeministri Edi Rama paralajmëroi për ndërhyrje të menjëhershme ligjore për zhdukjen e armëve nga duart e popullatës.

“Kemi shumë të qartë që duhet ndërhyrje për çarmatosjen e Shqipërisë. Shqipërinë që, sot për shkak të pasigurisë ekstreme të jetës dhe pronës që u krijua vit pas viti, është armatosur dhe plani duhet të nisë shumë shpejt, si edhe një bazë e re ligjore për mbajtjen dhe përdorimin e armëve. Për këtë arsye në nuk jemi ngutur qysh 2 muajt e parë me aksione qe janë të destinuara të mbeten sporadike, por edhe të pasuksesshme në rast se, në radhë të parë, nuk vendosim një bazë të re të ligjit dhe nuk bëjmë një punë intensive dhe komunikuese përpara se të fillojmë në mënyrë kapilare kontrollin për armët dhe ndëshkimin armëmbajtjen e paautorizuar”, tha Rama. Për kreun e qeverisë, ngjarja duhet të solidarizojë të gjithë , ndërsa theksoi se ajo ishte tregues i rrënimit të sistemit.

“PD po bën politikë të nivelit më të ulët, po sulmon pa të drejtë Policinë e Shtetit. Ju jeni aty ku jeni tani dhe fyet inteligjencën e shqiptarëve, Shqiptarët presin më shumë nga opozita dhe jo të sulmojë Policinë e Shtetit. Kemi një situatë problematike në vend dhe shkak i situatës është modeli i keq që ka dhënë Parlamenti. Duhet të çarmatosim Shqipërinë. Problemi i kriminalitetit, problem edhe kulturor. Shkak i situatës modeli i keq që ka dhënë Parlamenti”, theksoi Rama. Sipas Ramës, ndryshime thelbësore do të pësojë edhe sistemi arsimor, ku në të ardhmen mësuesit do të jenë të detyruar që çdo muaj t’i dërgojnë prindërve të nxënësve një relacion mbi mbarëvajtjen arsimore, transmeton shekulli.

Ndërsa ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, duke akuzuar qeverisjen e djathtë për nivelin e lartë të përhapjes së armëve, shprehu bindjen se dy nismat e reja ligjore do të japin efektet për numrin e ngjarjeve kriminale. Tahiri akuzoi Berishën se vrasja e djeshme në shkollë është pasojë dhe e veprimeve të kryeministrit Berisha, duke i kujtuar hapjen e depove të armatimit me 1997 dhe tragjedinë e Gërdecit. “Po rritet një brez i tërë të rinjsh me modele të deformuara në mënyrë radikale.

Dhe afërmendsh shohin sesi deri dje kalamajtë e pushtetarëve respektoheshin më shumë; sesi të fortët deri dje respektoheshin më shumë; sesi shteti ishte përkulur deri dje ndaj të fortëve dhe të paprekshmëve; si ligjin e bënin gangsterët; si Policia tradhtohej nga shteti dhe nga shefat e tyre përpara të fortëve! Dhe akoma më keq, kur çuni i babit bënte biznes me demontim armësh, hidhte themelet dhe fshinte nga harta e Shqipërisë një fshat të tërë duke lënë pas 26 viktima. Po s’ka sesi të mos mendonin të rinjtë e këtij vendi se mund të bënin dhe par? shpejt, mund të bënin dhe gangsterin, mund të mbanin dhe armë, mund të bënin dhe krime. Se kur çuni i babit deri dje kryeministër nuk dënohej dhe s’i hynte gjemb në këmbë dhe babi e mbronte mu në mes të parlamentit, po sigurisht të tjerët do të ndjekin këtë model!”, tha Tahiri. Por, kjo deklaratë solli edhe reagimin e ashpër të ish-kryeministrit Berisha.

“Nekropolitika është tipar i njerëzve me shpirt të zi dhe natyrisht nuk mund të mos shprehen në një ligjëratë kaq të turpshme të akuzoje këtu prindërit e viktimës, në vend të ngrije këtë Parlament në këmbë. Dhe ftoj Parlamentin një minutë heshtje për viktimën. Përsa i përket rendit, ju jeni shokët e krimit, të “Hakmarrjes”, të bandës së Durrësit, të bandës së Lushnjës, Shullazit që drekoni me të, shokë intimë të Altinit dhe Nehatit”, tha Berisha. 

Lajme të ngjashme

Back to top button