Topi i Artë, De Biasi voton Ronaldon, “snobon” Ribery

Topi i Artë – është padyshim një nga temat më të nxehta të futbollit në këtë fundviti

Për kë do të shkojë Topi i Artë, a do të ndërpritet mbretërimi 4 vjecar i Lionel Messit me zbritjen e argjentinasit nga froni, a do të shpërblehet për galopimin e tij fantastik dhe shifrat stratosferike Cristiano Ronaldo, apo Franck Ribery do të marrë frytet e një sezoni ku fitoi gjithshka ishte në lojë me Bajernin e Mynihut.

Opinionet, debatet e këndvështrimet janë të shumta, por në fund do të vendosin ato, votat e trajnerëve dhe kapitenëve të kombëtarëve dhe gazetarëve të akredituar pranë France Football.

Në këtë këndvështrim padyshim që për ne shqiptarët gjeneron interes dhe se cilat janë vlerësimet e përfaqësuesve tanë në këtë lojë, Lorik Cana në një deklarim të para pak ditëve shprehu preferencat e tij në këtë linjë, Ribery, Ronaldo dhe Messi, por nuk është i njëjtë me të opinioni i trajnerit të kombëtares Gianni De Biazi. Vota e tij zbulohet nga e përditëshmja prestigjioze spanjolle As që përcjell një sondazh të emisionit sportiv iberik Xarxa i cili ka pyetur 20 trajnerëve të përfaqësueseve, kryesisht amerikano-latine për votat e tyre për Topin e Artë.

Në të përfshihet dhe trajneri i kuqezinjve që voton në këtë mënyrë, pikët maksimale për Cristiano Ronaldon, në vend të dytë është Lionel Messi , dhe i treti Zlatan Ibrahimoviç.

Natyrisht nuk është dicka e jashtëzakonshme zgjedhja e parë për portugezin e as vendi i dytë për Messin, më tepër lajm në preferencën e De Biasit bën zgjedhja e tij e tretë Zlatan Ibrahimoviç, me trajnerin italian që ka vendosur që te lërë jashtë podit Franck Ribery, zgjedhjen e parë të Canës duke zgjedhur në vend të tij, klasin dhe golat magjikë të IbraKadabras që edhe pse ka fituar vetëm Ligue 1 në sezonin e kaluar ka lënë shenjë në këtë vit me golat e tij vërtet fantastikë.

Për sa i përket rezultatit final të sondazhit me preferencat e 20 trajnerëve të kombëtareve edhe ai con ujë në mullirin e Ronaldos me portugezin që fiton 61-56 ndaj Messit me Ribery që në vend të tretë i mbetet të kënaqet me vetëm 29 pikë.

Lajme të ngjashme

Back to top button