MPOSHTJA E FRIKËS

Përballja me këtë regjim do të jetë më e gjatë se sa pandehet. Ky regjim ka ithtarë interesi dhe ithtarë të verbuar nga ideologjia. Ai i ka nën kontroll instrumentet e dhunës. Megjithatë nuk është i dikurshmi. Ai vepron nën presionin e frikës, e cila e bën të paparashikueshëm. Megjithatë atij nuk duhet frikësuar, sepse djalli ushqehet me frikën e njerëzve.

Në ndërtimin e një sistemi represiv marrin pjesë frika, mashtrimi dhe lodhja. Të tre kanë qenë aleatë të deritanishëm të këtij regjimi, i cili sado që i nxjerr dhëmbët kërcënues, është duke perënduar, sepse po mposhtet frika. Sa më shumë mposhtet frika, aq më shumë tronditen themelet e tij. Mposhtja e frikës mundëson që realiteti të shihet ashtu sikurse është dhe jo ashtu siç është konstruktuar.

Njeriu i frikësuar e humb ndjenjën për realitetin. Ta mposhtësh frikën do të thotë të mposhtësh shkaktarin e paragjykimeve, thotë Bertrand Rasel. Ta mposhtësh frikën do të thotë të mposhtësh hipokrizinë, themelin e këtij regjimi, i cili e ngriti një sistem të gënjeshtërt dhe të frikshëm, duke ngulfatur çdo sferë shoqërore. Pasi e shndërroi sferën publike në pronë të veten, filloi ta cenonte edhe sferën intime, që në shoqëri normale demokratike konsiderohet e shenjtë.

Në përballje me të duhet mençuri, kreativitet e humor. Hapi i parë i mençurisë është mposhtja e frikës, thotë një dijetar.

Ky regjim nuk e duron kreativitetin, që është kundërshtari i tij. Ai shërbehet me diskurs të thatë dhe bazohet te disa ide që i ka mbjellë në kokat e atyre që i besojnë verbërisht. Politika e kiçit e ka prodhuar edhe kiçin kulturor. Përkrahësit e tij të verbër flasin me parulla dhe duket se vetëm këmbët i kanë në kohën tonë.

Duhet edhe humori ose karnevalizimi i jetës, si mënyrë për të mposhtur frikën nga autoritetet.

Çdo njeri ka frikë, por njeriu i mençur e mposht frikën duke iu kundërvënë asaj. Frika mposhtet kur ke një qëllim më të lartë, jo vetëm për veten, por edhe për ata që do të vijnë.

Megjithatë, duhet pasur kujdes. Arkitektët e këtij regjimi nuk kanë çfarë të humbin. Pasi besuan se kishin fituar shumëçka, tani janë të gatshëm të bëjnë gjithçka.

“Lufta” e tyre nuk bëhet për ndonjë kauzë të madhe, që ua shesin mendjeve të robëruara. Nuk është “luftë” kundër armiqve të brendshëm dhe të jashtëm të shtetit, që i kanë shpikur dhe vazhdojnë t’i shpikin për të krijuar bindjen po e mbrojnë shtetin nga shpërbërja, sikurse flasin megafonat e regjimit, të shpërndarë edhe nëpër botë.

Lufta e arkitektëve të kaosit, shpërfytyrimit dhe të shpërbërjes, bëhet vetëm për ta shpëtuar vetveten. Ata janë të frikësuar, kurse vendimet absurde sillen si pasojë e frikës.

Pushtetarët e korruptuar nuk kanë zgjidhje tjetër, veçse të krijojnë trazira për ta shpëtuar vetveten. Mashtrohen. Mund të shkaktojnë prapësi, prandaj duhet kujdes. Por çdo frikë i bën të fuqishëm. Arma më e fuqishme e këtij pushteti ka qenë frika prej tij. Sa më shumë njerëzit frikësoheshin, aq më i fuqishëm bëhej ky pushtet. Sa më shumë njerëzit çlirohen nga frika, aq më e pavlerë bëhet arma kryesore e tij.

Tani ka filluar mposhtja e frikës dhe ky është fillimi pa kthim prapa. Përballja do të jetë e vështirë dhe e gjatë. Një sistem represiv, i ngritur me autoritarë e kalecë të shumtë, nuk dekompozohet për një muaj apo për një vit. Duhet kohë. Dihet se ky regjim po e humb luftën me kohën. Mbetet çështja se çfarë do të fitojnë ata që kënaqen vetëm me cikërrima.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button