Referendumi për martesën e homoseksualëve ndan Kroacinë

Për javë të tëra shumë debate politike në Kroaci po sillen vetëm rreth një çështjeje, nëse formulimi që martesa është vetëm një bashkësi jete midis një burri dhe një gruaje duhet të përfshihet ose jo në kushtetutë. Deri tani martesa përcaktohet si e tillë, por “vetëm” në të Drejtën Familjare, kurse kushtetuta, nuk përmbante asnjë përkufizim për martesën. Në parlament, në media dhe në bisedat e përditshme në rrugë, kohët e fundit kishte vetëm një çështje”pro” ose “kundër” këtij përkufizimi. Një polarizim i tillë i shoqërisë nuk ka ekzistuar në Kroaci që nga ditët e Luftës në Jugosllavi në fillim të viteve 90-të.

Më 1 dhjetor do të vendoset në një referendum të iniciuar nga nisma qytetare “Në emër të familjes.” “Ne duam të tregojmë qartë se shumica e njerëzve në Kroaci është e bindur se martesa dhe të drejtat dhe detyrimet që lidhen me të mund të jetë vetëm një bashkësi mes burrit dhe gruas” – thotë për DW Željka Marki?, drejtuese e kësaj nisme.
 
Ndihmë e fuqishme nga Kisha Katolike
Nisma qytetare “Në emër të familjes” ka mbledhur 750.000 nënshkrime në vetëm dy javë, pra rreth 20 përqind të votuesve në Kroaci dhe gati dy herë më shumë se sa është e nevojshme për të kërkuar një referendum. Željka Marki? e sheh këtë si një hap të rëndësishëm të zhvillimit të demokracisë.

Por gjatë fushatës nisma qytetare nuk ishte krejt e vetme. Mbështetje e rëndësishme organizative dhe financiare erdhi nga partia kryesore e opozitës, partia konservatore Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ), dhe nga Kisha Katolike. Kjo ka shumë ndikim në Kroaci, për shkak se rreth 90 për qind e qytetarëve kroatë janë katolikë. Prej disa javësh kisha po bën thirrje që njerëzit të votojnë në referendum “pro” përfshirjes në kushtetutë të formulimit që martesa është vetëm një bashkësi jete midis burrit dhe gruas.

Të majtët kundër të djathtëve
Blloku i forcave konservatore nuk do që në Kroaci t’u lejohet çifteve të të njëjtit seks që të adoptojnë fëmijë, sepse siç tha Marki? në një intervistë për gazetën katolike “Zëri i Këshillit” kjo nuk ka qenë pjesë e kulturës, identitetit dhe vlerave të këtij vendi. Një sërë grupimesh të majta, OJQ-sh për të drejtat e njeriut apo shoqata LGBT, shoqata grash e studentësh janë kundër përfshirjes së një formulimi të tillë në kushtetutë, sepse kanë frikë se kjo mund të çojë në një përkeqësim të klimës sociale ndaj homoseksualëve dhe lezbikeve.
 
Krahasuar me vendet e tjera të Evropës Juglindore në Kroaci ekziston një qëndrim shumë liberal ndaj homoseksualëve dhe lezbikeve. Sipas shoqatës LGBTI Kroacia renditet për qëndrimin liberal ndaj homoseksualëve dhe lezbikeve e 13-ta ndër 49 vende të Evropës. Në qershor bashkëshortja e kryeministrit mori pjesë demonstrativisht në Gay Pride Parade XII në Zagreb dhe policët e rinj informohen sot gjatë shkollimit për të drejtat e homoseksualëve.

Në Kroaci, e cila është relativisht konservatore, referendumi për përfshirjen e formulimit për familjen në kushtetutë me sa duket do të përfundojë sipas dëshirës së iniciatorëve të këtij referendumi. Sipas sondazheve të fundit, 68 për qind e qytetarëve do të votojnë për ndryshimin kushtetues dhe vetëm 26 për qind kundër tij.

Lajme të ngjashme

Back to top button