Rooney, objektivi i merkatos së verës për Realin

Interesimi i Reali i Madridit për yllin e Manchester United, Wayne Rooney është i ditur prej kohësh, por klubi mbretëror është i gatshëm të hedhë hapa konkretë vetëm për një çmim që e konsideron të arsyeshëm.

Kështu, nga Anglia “The Sun” shkruan se gjigantët spanjollë dëshirojnë që Rooney të mbajë të bllokuara bisedimet për rinovimin e kontratës me Djajtë e Kuq, në mënyrë që të mund ta marrin për 20 milionë Paund, çmim që duket i pranueshëm për madrilenët.

Kur i mbeten edhe 18 muaj në kontratën aktuale, Los Blancos shpresojnë se Manchester United do të jetë i detyruar ta shesë 28-vjeçarin në verën e ardhshme, për mos ta humbur me kosto zero në Qershor 2015, transmeton Supersport.

Presidenti i Realit, Florentino Perez është një admirues i njohur tashmë i Rooney dhe po kështu është i njohur për taktikat që është në gjendje të përdorë për të arritur te objektivi që ka në shënjestër.

Një skenar i ngjashëm u përdor në 2004-ën kur Reali arriti të marrë për 8.5 milionë Paund nga Liverpooli, Michael Owen, i cili në atë kohë kërcënoi me largim nga Anfield.

Por për Rooney, situata duket edhe më e komplikuar për presidentin Perez, pasi klubet që e dëshirojnë sulmuesin janë të shumtë dhe një kandidat i fortë për shërbimet e tij është pikërisht Chelsea i Jose Mourinhos.

Lajme të ngjashme

Back to top button