Marrëveshje bashkëpunimi mes FBI-së dhe Qeverisë Shqiptare

Në kuadër të vizitës së Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në SHBA, u zhvillua një takim në zyrat qendrore të Byrosë Federale të Hetimit, ku Rama u prit nga drejtori i FBI-së, James Comey, transmeton Anadolu Agency (AA).

Gjatë këtij takimi, ministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Saimir Tahiri dhe kreu i FBI-së, James Comey nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit ndërmjet Byrosë Federale të Hetimit (FBI) dhe Qeverisë Shqiptare për shkëmbimin e informacionit dhe bashkëpunimin në kuadër të luftës kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.

Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Shqipërisë, kjo është marrëveshja e parë e këtij lloji e nënshkruar nga një ministër i Brendshëm në të gjithë historinë e marrëdhënieve ndërmjet Policisë së Shtetit Shqiptar dhe FBI-së.

Qëllimi i kësaj marrëveshjeje dypalëshe është nxitja e shkëmbimit të informacionit për verifikimin e të dhënave në luftën kundër terrorizmit. Në marrëveshje parashikohet që palët të caktojnë një ose më shumë pika kontakti mes tyre. Për palën shqiptare, pikë kontakti do të jetë Drejtoria e Antiterrorit në Policinë e Shtetit, ndërsa për palën amerikane do të jetë TSC (Terrorism Screening Center).

Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes u bë me rastin e vizitës zhvilloi delegacioni qeveritar i kryesuar nga Kryeministri Rama në SHBA me autoritetet më të larta shtetërore që kulmoi me takimin me Presidentin Obama dhe zëvendëspresidentin, Joe Biden.

Qeveria Shqiptare, thuhet në njoftim mori vlerësimet e drejtorit të FBI-së për luftën e deritanishme kundër krimit, terrorizmit dhe korrupsionit si dhe reformat e ndërmarra në sektorin e sigurisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button