Peshorja e prishur e Justicisë

E kam bezdi të përmend emra politikanësh edhe pse në jetën tokësore ata vendosin për fatin e njerëzve.

Në këtë vend dhe në këtë kohë disa emra sikur mos merreshin me punët e shtetit do të ishin anonimë.  Njëri prej tyre është kryetar shteti, që sjell vendime të çuditshme. Vendosi të falte të gjithë politikanët në procedurë hetimore.

Shkurt: rrënim i demokracisë dhe i shtetit të së drejtës. Se mos ka pasur demokraci dhe shtet të së drejtës. Rroftë shteti! Shteti jam unë!

Me vendimin e një profesori të drejtësisë politikanët duhet të jenë “më të barabartë se të barabartët”! Me vendimin e këtij profesori duhet të amnistohet krimi, korrupsioni, falsifikimi zgjedhor dhe prapësitë e bëra nga pushteti. Ky është shtet i partisë. Qytetari është kategori abstrakte.

Ai që duhej ta mbronte vetë e shkeli kushtetutën me dy këmbë. Ja lejoi Gjykata Kushtetuese. Ja lejuan edhe patericat shqiptare, që e mbajnë në këmbë këtë regjim. Zbatoi urdhrin e porositësit, që dy herë e bëri kryetar shteti. Kurrë s’e ka pasur unin e tij. Do të mbahet mend për gafat që kanë shërbyer për barsoleta, por gjendja nuk është komike. Është shqetësuese. Ai synon që shpata e symbyllurës Justici, perëndeshës së drejtësisë, në vend se kriminelin, ta godasë viktimën. Viktimë është qytetari Jernej. Politikani duhet të jetë kategori tjetër, e mbrojtur, e epërme, e privilegjuar. Dujet të jerë njëfarë hyjnie, që mund të luajë me fatet e njerëzve sa herë e bezdis rehatia e Olimpit. Thjesht, për qejf. Politikani sipas profesorit të drejtësisë duhet të ketë të “drejta specifike”, të jetë i pandëshkueshëm, pavarësisht krimit që ka bërë. Drejtësia duhet të vlejë vetëm për tokësorët, jo për ata të Olimpit. Drejtësia duhet të jetë në dorën e kadiut, që e mbron padrejtësinë. Mjafton ta kesh mirë me “mbretin” dhe mund të bësh çfarëdo prapësie. Mjafton të jesh politikan dhe ke liri arbitrare.

Muzgu ka rënë dhe fantazmat janë zgjuar. Pushteti autoritar mund të bëjë gjithçka. Asgjë nuk është e papritur. Tani varet kush sa do t’i qëndrojë besnik regjimit, që i ka nxjerrë dhëmbët kërcënues. Ka fuqi. Ka ndërtuar piramidë kontrolli. Diçka do të ndodhë, por nuk e dimë nëse do të jetë dramë, komedi apo tragjedi.

Është domosdoshmëri ndërhyrja e radhës e faktorit ndërkombëtar, pa shumë manovrime. Diskursi i ndërkombëtarëve ka ndryshuar. Thuhet haptazi se vendimi i kryetarit të shtetit është shqetësues për sundimin e së drejtës në vend, që mund të “përkthehet” se vendimi është i papranueshëm. Nuk mjafton vetëm kaq, sepse këtë reagim e kanë pritur arkitektët e këtij vendimi. Nuk janë naivë. Janë të bindur se nuk u është harxhuar koha për manovrim. Nëse kalon ky vendim politikanët nën hetim sërish mund të kandidojnë për deputetë dhe të fitojnë imunitet. Porositësit e këtij vendimi i provojnë të gjitha mënyrat për t’i mbijetuar hetimit…

Mbrojtja e krimit është krim. Këtë duhet t’ua ketë thënë studentëve profesori i drejtësisë që u bë edhe kryetar shteti…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button