Në qendër të askundësisë

Të jetuarit nga llafet dhe premtimet boshe e përherë “buzë konfliktit” me armikun fantazmë, me policinë, me njëri tjetrin, nuk është më  obsioni fitues. Nuk është më obsion as buzëqeshja e harxhuar kotë sepse ajo buzëqeshje është ofenduese për njeriun, e dëshmon si lajkatar dhe e bën copash dinjitetin e tij

Kohët që i ka jetuar njeriu përherë kanë ndryshuar nga njëra tjetra, një kohë përherë është zëvendësuar më një tjetër, asnjë periudhë nuk ka zgjatur pafundësisht. Kjo, sepse kohën, si çdo gjë tjetër, e ka krijuar Zoti i cili vetëm veten e ka caktuar të ekzistojë përherë ndërsa njeriut ia ka caktuar  mysafirllëkun në këtë botë duke ia  mundësuar të realizojë misionin e paraparë.

Mererni me mend çfarë do të ndodhte sikur të vazhdonin pa kufi kohët e satrapëve të             ndryshëm, sikur të ishte njerëzimi i detyruar të durojë përherë zullumin e diktatorëve dhe tiranëve. Për fat, kohët shkojnë e vijnë, e me ato shkojnë edhe njerëzit që pastaj të vijnë kohë të tjera dhe njerëz të tjerë. Një satrap mund të zëvendësohet me një njeri të urtë e të mençur, bashobozukët ua lënë vendin njerëzve të arsyeshëm.

Të çuditshme dhe të pa parashikueshme janë shtigjet nëpër të cilat e drejton Zoti njeriun dhe asnjëherë nuk dihet kur do i ndrojë Ai kohët dhe njerëzit. Zoti thotë “bëhu”, dhe bëhet. Për të qenë i sinqertë, më duhet të them se kjo kohë që po e jetojmë është pikërisht njëra nga ato kohë që njeriu nuk i do e që i lutet Zotit ta ndryshojë, ta zëvendësojë me një kohë tjetër e me të tjerë njerëz.

Koha që po e jetojmë është përfundimisht vullgare dhe ajo ka prodhuar e po prodhon vullgaritet në politikë e në opinion, në kulturë dhe në marëdhëniet ndërnjerëzore, në media. Realisht, jemi të bombarduar nga antivlerat dhe shumëçka që po e shohim e po e përjetojmë, po paraqet vetëm kanalizimin e jetës,

Andaj, sëpari, dëshiroj të konstatoj se njeriu i rëndomtë që jeton në Maqedoni, pa marrë parasysh përkatësinë etnike e fetare, po kërkon një shteg. Dhe, po kërkon nga të gjithë që po hiqen si udhërëfyes dhe arkitektë të ardhmërisë të harrojnë “madhështinë” e tyre të imagjinuar sepse i Madh dhe Madhështor është vetëm Zoti.

Në situatën kur vrapi i  çmendur pas politikës po i bastardon edhe mendjet tona më të ndritura duke i ngërthyer në llumin e iracionalitetit, vetvetiu po shtrohet pyetja: Cili është parakushti i domosdoshëm që ta shijojmë pa ekuivoke të drejtën e dhënë nga Zoti për një jetë kuptimplote, për liri, për shpresë. Si të arrijmë të mirën e përbashkët në kohët kur elitat e përgjumura shoqërore kurrsesi nuk po mund ta marrin përsipër barrën e përgjegjësisë.

Analizat e kohëve të fundit po thonë se ky vend  po bën “sallto mortale” dhe me hapa të përshpejtuar po largohet nga orientimet evroatlantike të cilat u proklamuan aq shumë e që të gjithë i përjetuam si të vetmen mundësi për prosperitet të mirëfilltë. Marrëveshjet, qoftë ajo e Ohrit apo e Përzhinës, po shihet qartazi se nuk po funksionojnë dhe po shërbejnë vetëm si një fije kashte për të cilën po tentojnë të kapen ata që, pa dyshim janë qëllimmirë por ja që po mbyten në detin e madh të premtimeve boshe dhe të lojërave bizantine.

Sidoqoftë, të jetuarit nga llafet dhe premtimet boshe e përherë “buzë konfliktit” me armikun fantazmë, me policinë, me njëri tjetrin, nuk është më  obsioni fitues. Nuk është më obsion as buzëqeshja e harxhuar kotë sepse ajo buzëqeshje është ofenduese për njeriun, e dëshmon si lajkatar dhe e bën copash dinjitetin e tij.

Kush e di për ç’ arsye, po më krijohet një përshtypje se po përfundon një kohe dhe po fillon një tjetër. Po më duket se po fillon një kohë në të cilën kompromiset të cilat gjithsesi janë të detyrueshme në shoqëritë demokratike multietnike, multifetare dhe shumëpartiake, nuk do bëhen më në fillim të përpjekjeve për ndryshime. Kompromisi ka kuptim vetëm në fund të përpjekjes, ndryshe quhet mashtrim, apo jo ?

Po afrohet një kohë në të cilën populli nuk do pranojë më të shërbejë si statist për realizimin e skenave masovike që i bëjnë regjisorët e fshehur. Vështirë se dikush do pranojë tani e tutje të bëhet vetëm element i një mashtrimi optik, ndërkohë që mashtrimet përmbajtësore i realizojnë ustallarë të ndryshëm të proveniencave më të çuditshme.

“Bëhu”, thotë Zoti, dhe bëhet! Askundësia mund të shndërrohet në një vend në të cilin do frymojë shpresa dhe njërëzit do të buzëqeshin nga qejfi dhe jo nga zori.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button