Hendbollistet e reja nga Çairi arrijnë “Play Off”-in
Vajzat e KH Çairi edhe pse me shumë probleme dhe vështirësi, kanë arritur të marrin dhe një tre pikësh të ri në kuadër të ligës së parë për të reja në kampionatin hendbollistik të Maqedonisë.
Në ndeshjen e luajtur si mysafire në Dellçevë, vashat nga Çairi ishin më të mira se ekipi i Dellçevës. Pjesa e parë e lojës u mbyll në favor të ekipit të KH Çairi me rezultat 7:11.
Edhe kjo ndeshje nuk ka kaluar pa ra në sy referimi tendencioz, pasi që në të shumtën e ndeshjes vashat e profesoreshës Semia Islami (Mia), kanë luajtur me lojtare më pak, duke u përjashtuar me nga dy minuta, ndërsa më keq e pësoi një nga hendbollistet më të mira, Leonora Rrahmani e cila u ndëshkua me karton të kuq. Por çairaset edhe në pjesën e dytë treguan se e dëshirojnë më shumë se çdo gjë fitoren dhe rezultati përfundimtar ishte 18:20.
Kjo ndeshje kishte rëndësi të madhe për dy ekipet, pasi që kush e fitonte do të arrinte kualifikimin në fazën e “Play”Off”-it. Lojtaret që u regjistruan në listën e golshënuesve ishin: Ena Dërplanin me 8 gola, Melisa Ajdini 4, Bajra Bakiç 3, Arlinda Dinarica 2, Leonora Rrahmani 2, Ema Drplanin 1 gol, ndërsa portierja Mirlinda Dinarica bëri 12 pritje të sigurta. / Portalb /