Vrasja e Totit, psikiatrja dëshmoi se njëri nga të akuzuarit ka muskulaturë të dobët, prandaj goditja ndaj hendbollistit ishte e dobët

Dy mjeke – një psikiatre dhe një specialiste e psikologjisë mjekësore – dëshmuan sot për rastin e vrasjes së hendbollistit kroat Denis Tot para një lokali nate në parkun e qytetit në Shkup, mbrëmjen e 6-7 prillit. Ata analizuan gjendjen e njërit nga tre të akuzuarit, Angelo Gjorgievski (28), me propozim të avokatëve të tij.

Në cilësinë e ekspertit, dëshmoi doktoresha psikiatre Zora Mitiq, e cila tha se Angelo kishte plagë në dorën e djathtë, e njëjta me të cilën goditi Totin herën e parë. Sipas saj, muskulatura e kësaj gjymtyre është e dobët, që do të thotë se goditja ka qenë e dobët, raporton MIA.

Mjekja Sanja Eftimovska, si specialiste e psikologjisë mjekësore, të akuzuarin e cilësoi si person pasiv në situata stresuese.

“Bëhet fjalë për person me të menduarit logjik me sens të shëndoshë me test të ruajtur të realitetit dhe aftësi për sjellje të kompensuar. Në situata stresuese dhe frustrime, njerëzit reagojnë ndryshe, u pa që Anxhelo është i prirur për pasivizim, merr edhe ilaçe, mbizotërojnë simptomat e tipit neurotik, gjendje në të cilën dikush tërhiqet, dikush sulmon, ai është nga ata tipa që pasivizohen”, tha Eftimova, e cila ishte edhe dëshmitare e mbrojtjes.

Në seancat paraprakee, megjithatë, me sugjerimin e prokurorisë, Aleksandar Marcikiq dëshmoi si ekspert në fushën e psikiatrisë. Për të tre të pandehurit, ai tha se janë persona të shëndetshëm mendërisht, dhe në momentin e ngjarjes fatkeqe, sipas tij, kanë mundur t’i kuptojnë veprimet e tyre, të marrin pasojat dhe t’i menaxhojnë ato.

Përveç Gjorgievskit (28), dy të akuzuarit e tjerë janë Klementina Levkovska (19) dhe Andrej Kostovski (19).

Në fillim të gjyqit, të tre thanë në fjalët e tyre hapëse në gjykatë se asnjëri prej tyre nuk donte që kjo të ndodhte. Nga ana tjetër avokatët e tyre dolën me tezën se kjo ngjarje penalo-juridike nuk mund të cilësohet si vrasje pasi nuk ka pasur paramendim.

Prokurorja Tanja Trajçevska, nga ana tjetër, ishte e para që tha fjalën hyrëse dhe përshkroi ngjarjen fatale. Debati i tre të pandehurve me hendbollistin ka nisur në taksi, e më pas ka vazhduar jashtë tij. Ajo u kthye në një përleshje fizike ku Toti u përballë me disa goditje, pas së cilave kishte rënë në asfalt. Teksa ishte shtrirë, sipas prokurorisë, ai është goditur disa herë me këmbë dhe me dorë në kokë dhe në trup. Për shkak të lëndimeve të rënda, Tot ra në gjendje kome, u diagnostikua me kontuzion të trurit, aktiviteti i neuroneve të trurit u ndal dhe e gjithë kjo rezultoi me vdekjen e tij të nesërmen e 8 prillit.

Gjykimi do të vazhdojë më 9 nëntor.

Në gjykimin e deritanishëm për vrasjen e Totit, në sallën e gjyqit janë dëgjuar disa dëshmitarë, si dhe fjalët hyrëse të palëve. Në seancën e datës 14 shtator në sallë ka ardhur edhe babai i Denisit, Igor Tot, i cili tha se presin të zbardhet e vërteta, për të parë nëse të pandehurit janë fajtorë dhe nëse janë fajtorë, të ketë dënim të duhur.

Nga ekspertiza dhe obduksioni që iu bë trupit të Totit pas vdekjes së tij nga ky institut, është thënë se në trupin e Totit është intervenuar me kohë, mirëpo shtypja e trurit dhe lëndimi i pjesës fillestare të shtyllës kurrizore ishin fatale.

Gjyqi për rastin e Denis Tot filloi me 5 shtator dhe rastin, ashtu siç kanë konfirmuar nga Gjykata Themelore Penale në Shkup, është duke e udhëhequr Elena Ilievska Josifoviq.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button